Dialogu Kosovë-Serbi, Lajçak: Kurti Është i ri, por me mandat të fortë politik
Emisari Special i BE-së, Miroslav Lajçak....

Emisari Special i BE-së, Miroslav Lajçak, nuk sheh arsye për pesimizëm në dialogun Kosovë-Serbi .
Pas Samitit të Ballkanit Perëndimor në Vjenë, ai përmendi se është shenjë pozitive që të dyja palët kanë interes për normalizim të marrëdhënieve. Lajçak deklaroi se kryeministri Albin Kurti ka një mandat të fortë në Kosovë.
“Nuk kemi të drejtë të jemi pesimistë, nuk kemi as shkak të jemi pesimistë. Do të ishte naive të themi që ishte një takim i thjeshtë. Fakti që u zhvillua dhe u fol për disa orë, e të dyja palët janë të interesuara për normalizim të marrëdhënieve dhe që dialogu i lehtësuar nga BE-ja është rruga e duhur, është një shenjë pozitive. Do të ketë takim tjetër para pushimeve të verës. Kryeministri Albin Kurti është i ri në këtë dialog, ai është një proces që ka nisur në vitin 2011 dhe ka sjellë disa rezultate. Ai sjell pikëpamjet e tij në këtë proces, e rëndësishme është që ka një mandat shumë të fortë politik, sepse atë e ka zgjedhur një shumicë e madhe dhe mund të flasë me autoritet. Nuk ka alternativë në këtë dialog përpos normalizimit të marrëdhënieve midis Serbisë dhe Kosovës. Kjo ka rëndësi për gjithë rajonin. Duam të angazhohemi që procesi të jetë i suksesshëm, jo vetëm në marrëdhëniet mes dyja shteteve, por edhe të ardhmes evropiane” – tha emisari special i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.
