Botë
Biden apelon te qytetarët për vaksinim
19.06.2021 18:25
Presidenti amerikan Joe Biden u ka bërë thirrje amerikanëve që të vaksinohen kundër virusit korona...

Presidenti amerikan Joe Biden u ka bërë thirrje amerikanëve që të vaksinohen kundër virusit korona, derisa i është bashkëngjitur thirrjeve të liderëve të tjerë për kujdes të shtuar, pasi varianti Delta është përhapur në gjithë botën.
Varianti Delta, që fillimisht është detektuar në Indi, është bërë varianti dominues në botë i koronavirusit, tha Organizata Botërore e Shëndetësisë. Po ashtu, ky variant, që është më i transmetueshëm, pritet të bëhet dominant edhe në SHBA, tha drejtoresha e Qendrave për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve, Rochelle Walensky. Sipas sajë ata që vaksinohen “do të jenë të mbrojtur nga varianti Delta”.
Biden u bëri thirrje amerikanëve të vaksinohen, teksa njoftoi se 300 milionë doza kundër COVID-19 tashmë janë administruar gjatë 150 ditëve, që prej se ai mori detyrën e presidentit. Rreth 172.4 milionë persona apo 51.9 për qind e popullsisë së SHBA-së, kanë marrë të paktën një dozë të vaksinës. Rreth 141.6 milionë persona apo 42.6 për qind e popullsisë, tashmë janë të vaksinuar plotësisht. Ndërkaq, Britania ka raportuar për rritje të infektimeve për shkak të variantit Delta, duke detyruar qeverinë që të shtyjë vendimin për relaksimin e masave. Në Bashkimin Evropian, shtetet kanë administruar të paktën një dozë të vaksinës për pothuajse gjysmën e popullsisë së bllokut. Liderët e Gjermanisë dhe Francës u bën thirrje shteteve të BE-së që të jenë më viligjente ndaj variantit Delta.
