BotëT

Në Brazil mbi 500 mijë viktimave nga Kovid 19

20.06.2021 12:29

Autoritetet në Brazil kanë konfirmuar se numri i vdekjeve nga COVID-19 ka kaluar shifrën prej 500 mijë personash...

Autoritetet në Brazil kanë konfirmuar se numri i vdekjeve nga COVID-19 ka kaluar shifrën prej 500 mijë personash, duke u bërë shteti i dytë në botë për numrin e viktimave, pas ShBA-ve ku deri më tani janë regjsitruar mbi 600 mijë viktima. 

 
Derisa Brazili po përballet me numër kaq të lartë viktimash, mijëra majtistë protestuan në mbarë vendin kundër presidentit, Jair Bolsonaro për shkak të mënyrës se si ai po e menaxhon pandeminë. Afër 18 milionë persona në Brazil janë infektuar me kovid 19. Ky shtet, që ka popullsi prej 213 milionë banorësh, ka regjistruar pothuajse 100 mijë raste të reja dhe 2.000 vdekje në baza ditore. Vetëm 30 për qind e brazilianëve deri më tani kanë marrë dozën e parë të vaksinës kundër COVID-19, ndërkaq rreth 11 për qind e popullsisë janë të vaksinuar plotësisht. 
 
Në SHBA ka rënë numri i infektimeve të reja dhe shumë kufizime janë hequr për shkak të fushatës së vaksinimit. 
 
Në Rusi po përkeqësohe gjendja me pandeminë 
 
Në Rusi situata me pandeminë është duke u përkeqësuar. Zyrtarët shëndetësorë të shtunën raportuan për 17 mijë e 906 raste të reja. Mbi gjysma e rasteve të reja janë regjistruar në Moskë. Rritja e rasteve me COVID-19 në Rusi besohet se është shkaktuar nga përhapja e variantit Delta, që është më i transmetueshëm, por edhe nga hezitimi i rusëve që të vaksinohen. Deri më tani, vetëm rreth 12 për qind e popullsisë kanë marrë një dozë të vaksinës. Për shkak të rritjes së rasteve, janë vendosur disa kufizime të reja. Në Rusi, deri më tani janë regjistruar pothuajse 5.3 milionë raste me kovid 19 dhe 128 mijë e 911 vdekje. 
 
Pas përmirësimit të gjendjes me pandeminë në Francë është hequr ora policore, e cila ishte në fuqi prej 245 ditësh. Nga ana tjetër Italia duke filluar nga e hëna e 21 qershorit do të kthehet në zonë të bardhë, megjithse maskat do të vazhdojnë të jenë të obligueshme.