Maqedoni
Avokati i Popullit: Mosdhënia e dokumenteve personale, shkelje e të drejtave të qytetarëve
23.06.2021 14:07
Pezullimi për ditë të tëra i dhënies së letërnjoftimeve, pasaportave...

Pezullimi për ditë të tëra i dhënies së letërnjoftimeve, pasaportave, patentave dhe dokumenteve të tjera personale, shihet me shqetësim nga zyra e Avokatit të Popullit, sipas të cilit një veprim i tillë ndikon seriozisht në realizimin e shumë të drejtave të tjera të qytetarëve.
Avokati i Popullit, me iniciativën e tij, do të hetojë lëshimet e mundshme në punën e shërbimeve kompetente në Ministrinë e Brendshme, për të parë se cila është arsyeja e ndërprerjes në lëshimin e dokumenteve. Avokati i Popullit nuk e kupton se përse azhurnimi i sistemit u la për një periudhë kur tradicionalisht kërkesat janë të shtuara, e sivjet edhe më shumë për shkak të pandemisë që u pamundësoi shumë qytetarëve të rinovonin dokumentet, sidomos atyre që jetojnë jashtë vendit, për shkak të kufijve të mbyllur. Avokati i Popullit kërkon nga Ministria e Brendshme të hetojë pse qytetarët u vënë para një situate të tillë dhe të përcaktojë përgjegjësinë për pezullimin e shërbimeve.
