Basketboll
NBA, Denver Nuggets kalon Utah Jazz
02.12.2014 12:57
Denver Nuggets dhe Utah Jazz dhuruan një ndeshje spektakolare mes tyre në NBA, me ekipin nga Colorado që arriti të fitojë 103-101...

Denver Nuggets dhe Utah Jazz dhuruan një ndeshje spektakolare mes tyre në NBA, me ekipin nga Colorado që arriti të fitojë 103-101, vetëm pas një koshi të realizuar në fund nga ana e Ty Lawson.
Sfida e luajtur në Salt Lake City ishte shumë e ekuilibruar që në fillim, me Denver që morën avantazhin e parë, katër minuta nga përfundimi i fraksionit të parë, por Utah u kundërpërgjigj me turkeun Enes Kanter, që i riktheu përpara 21-18.
Gjithsesi në fundin e periodës ishte Denver që kryesonte 26-23.
Nuggets u dukën sikur krijuan një epërsi sigurie në fillimin e pjesës së dytë, ku zgjatën diferencën në +10, madje para pushimi avantazhi i Denverit u rrit deri në 19 pikë, për shifrat 62-43, transmeton supersport.
Burks, që në total realizoi 22 pikë, për Utah, shkurtoi disavantazhin në 12 pikë, ndërsa një kosh i saktë nga vija për tre i Trey Burke, ndali rezultatin në 83-77 në fundin e periodës së tretë. Në pjesën e fundit të lojës, përmbysja e Utah u bë realitet, falë një rezultati parcial 0-6, që barazoi takimin në 83-83.
Nuggets u rikthyen sërish 4 pikë përpara, ndërsa 3 minuta para fundit Chandler goditi saktë për 3, duke i dhënë epërsinë 97-92 Denverit.
Gjithsesi Jazz nuk u dorëzua dhe Gordon Hayward barazoi rezultatin në 99-99.
Në këtë moment u bë protagonist Lawson, që i dha avantazhin përfundimtar 101-99 Denverit. Dy skuadrat realizuan dhe nga një herë me takimin që u mbyll në shifrat 103-101 për Denverin.
