Tornado godet Çekinë, katër të vdekur 200 të lënduar
Të paktën katër persona e humbën jetën dhe rreth 200 të tjerë u plagosën si pasojë e tornados që goditi të enjten pjesën juglindore të Republikës Çeke....

Të paktën katër persona e humbën jetën dhe rreth 200 të tjerë u plagosën si pasojë e tornados që goditi të enjten pjesën juglindore të Republikës Çeke.
Lajmin e konfirmoi për televizionin publik çek zëdhënësja e shërbimeve të shpëtimit në rajonin e Moravisë Jugore, Mikaela Botova. Stuhia shkatërroi çatitë e disa ndërtesave në qytetet Brecllav dhe Hodonin, ndërsa shkuli pemë dhe përmbysi makina. “Është një ferr i gjallë”, tha guvernatori rajonal i Moravisë Jugore, Jan Grolich, pasi vizitoi zonën. Ekipet vendaore të shpëtimit, bashkë me përforcime nga Austria dhe Sllovakia, janë duke ndihmuar të prekurit.
Një zëdhënëse lokale e shërbimeve të urgjencës, ka thënë se disa njerëz janë ende të bllokuar nën rrënoja. Ministri i Brendshëm çek, Jan Hamacek, ka deklaruar se situata është shumë serioze. Pasi vizitoi rajonin e goditur, ai shpalli gjendje të jashtëzakonshme. Tornadoja shkaktoi edhe ndërprerje të mëdha të trafikut dhe la mbi 100 mijë shtëpi pa energji elektrike gjatë natës. Një meteorolog i televizionit Çek tha se tornadoja, e raportuar në zonat rreth qytetit Hodonin, në afërsi të kufirit me Sllovakinë dhe Austrinë, ishte rreth 270 kilometra në juglindje të Pragës, dhe mund të ketë çuar shpejtësinë e erës në mbi 332 kilometra në orë.
