Botë
Dështon realizimi i gazsjellësit “Rrjedha Jugore”
02.12.2014 16:10
Presidenti i Rusisë, Vlladimir Putin, ka thënë se tubacioni i propozuar i gazit “Rrjedha e Jugut” nuk do të ndërtohet...

Duke folur të hënën në Ankara me presidentin turk, Recep Tayyip Erdogan, Putin ka thënë se në vend të kësaj Rusia do të shikojë për ndërtimin e një qendre të gazit në kufirin Turqi-Greqi.
Putin ka fajësuar Evropën për kundërshtimet ndaj këtij plani, i cili do të financohej nga gjiganti rus i gazit, “Gazprom”.
“Rrjedha e Jugut” do të transportonte gazin rus përmes Detit të Zi në Bullgari dhe përmes Serbisë, Hungarisë dhe Sllovenisë në Austri.
“Marrë parasysh se deri në këtë moment nuk e kemi marrë lejen e Bullgarisë, besojmë se Rusia nuk mund të vazhdojë me zbatimin e këtij projekti në rrethanat ekzistuese”- deklaroi president i Rusisë, Vlladimir Putin.
Bashkimi Evropian ka thënë se projekti “Rrjedha e Jugut” nuk është në përputhje me ligjet e BE-së për konkurrencë dhe energji. Si pasojë e këtyre kritikave, Qeveria e Bullgarisë ka pezulluar punën në “Rrjedhën e Jugut” në muajin qershor.
“Ne besojmë se qasja e Komisionit Evropian nuk ka qenë konstruktive. Jo vetëm që nuk na ka ndihmuar të zbatojmë këtë projekt, por i ka bërë të gjitha llojet e pengesave për ta bllokuar atë. Nëse Evropa nuk është e gatshme për ta zbatuar atë, ne nuk do ta realizojmë. Ne do t’i përcjellim flukset tona të energjisë në rajone të tjera të botës”- tha presidenti i Rusisë, Vlladimir Putin.
Kryeministri i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka reaguar, duke thënë se tërheqja e Rusisë nga projekti është lajm i keq për Serbinë, por se “qytetarët nuk duhet të brengosen për furnizimet me gaz”.Vuçiq, ka thënë se së shpejti do të bisedojë me Putinin dhe zyrtarët e tjerë për këtë çështje.
“Serbia nuk i ka kontribuar assesi këtij vendimi. Shtatë vjet ka investuar në këtë projekt, por paguajmë çmimin e konflikteve të mëdha”- u shpreh kryeministri i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Marrëdhëniet midis Rusisë dhe Bashkimit Evropian janë tendosur keq, për shkak të krizës në Ukrainë. BE-ja dhe Shtetet e Bashkuara kanë sanksionuar disa individë dhe kompani ruse pas ndërhyrjes së Rusisë në Ukrainë, por “Gazprom”-i nuk është prekur.
“Gazprom” furnizon Evropën me 30 për qind të gazit, 15 për qind e të cilit kalon nëpër Ukrainë.
NAIM SINANI
