Maqedoni
MASH: 2905 bursa për studentët
02.12.2014 16:14
Ministria e Arsimit dhe Shkencës, vazhdon t’i mbështesë studentët e dalluar...

Për vitin akademik 2014-2015 do të ndahen 2905 bursa, bën të ditur ministri i Arsimit, Abdylaqim Ademi, duke shtuar se aplikimin ose fletëparaqitjen në formë elektronike të gjitha kategoritë e interesuara mund ta bëjnë deri më 4 dhjetor.
“Bëhet fjalë për gjithsejtë 2905 bursa për vitin akademik 2014-2015, të cilat janë të ndara në tre grupe: grupi i parë 1500 bursa për studentët që vijnë nga kategoritë sociale, në grupin e dytë janë 630 bursa për studentët e regjistruar në fakultetet teknike dhe shkencave mjekësore, 125 bursa për studentët e regjistruar në programet studimore për informatikë dhe në grupin e tretë janë 650 bursa për studentët e regjistruar në programet studimore në sferën e shkencave matematiko-natyrore, tekniko- teknologjike, bio-teknike dhe shkencat mjekësore”- deklaroi ministri i Arsimit dhe Shkencës, Abdylaqim Ademi.
Ademi, njëherit sqaroi se të drejtë aplikimi kanë të gjithë studentët e rregullt nga universitetet publike dhe private, me notë mesatare mbi 8. Po ashtu, studentët nuk duhet të kenë përsëritur vitin e studimit, duhet të mos jenë shfrytëzues të bursave nga ndonjë institucion tjetër ose të ndonjë kompanie private.
Rezultatet e konkursit për ndarjen e bursave do të shpallen më 3 shkurt të vitit 2015 në ueb-faqen e ministrisë.
VLORA LATIFI-TOPOJANI
