Maqedoni

Të rinjtë, të frikësuar nga incidentet e shpeshta

02.12.2014 16:39

Shkelmimet, shuplakat, shufrat e gomës, incidentet nga më të ndryshme, si dhe mbajta e mjeteve të rënda vazhdojnë të jenë përditshmëri ndërmjet të rinjve...

Shkelmimet, shuplakat, shufrat e gomës, incidentet nga më të ndryshme, si dhe mbajta e mjeteve të rënda vazhdojnë të jenë përditshmëri ndërmjet të rinjve, përfshirë edhe ata në shkolla.
 
Kështu kanë treguar rezultatet e hulumtimit të bërë nga Forumi Rinor Arsimor në temë "Dhuna në mes të nxënësve të shkollave të mesme".
 
Nxënësit e shkollave fillore dhe të mesme janë shprehur se nuk ndjehen të sigurt në procesin arsimor dhe gjatë ardhjes në shkollë, sepse shumë bashkëmoshatarë të tyre posedojnë  mjete të rënda.
 
“Pothuajse gjysma e të anketuarve nuk ndjehen të sigurt në shkolla, gjatë rrugës deri në shkollë, nëpër lagjet ku nuk jetojnë ata dhe stacionet e autobusëve. Sipas nxënësve, shumica e bashkëmoshatarëve të tyre mendojnë se posedojnë armë me vete. 54 .4 për qind e të anketuarve mendojnë se disa nxënës posedojnë mjete të forta, 45, 4 se kanë thika, 32,4 shufra,  27 shufra gome dhe 19 për qind pistoleta”- deklaroi Monika Bozhinovska nga FRA.  
                                                                                                 
Incidentet e njëpasnjëshme jo vetëm në Shkup, por edhe në qytete të tjera, si dhe incidenti i fundit me therje thike ndërmjet dy të rinjve, që ndodhi mbrëmë në afërsi të Qendrës Tregtare “City Mall”, tregojnë qartë për gjendjen e rëndë të të rinjve.
 
Nxënësit e anketuar nga  TVM-2  pranojnë faktin se shpeshherë janë dëshmitarë të incidenteve të tilla.
 
“Unë mendoj se në shkolla ka dhunë, por ato janë në raste të rralla. Më shumë vjen nga jashtë, nxënësit vijnë nga jashtë dhe zihen me nxënësit e shkollës sonë dhe më së shumti ata vijnë me thika”- u shpreh një nxënës.                                                        
 
“Te ne nuk ka incidente të përmasave të mëdha, por nëpër klasa shpeshherë mund të ketë goditje me shuplaka dhe shkelma ndërmjet nxënësve, mirëpo këto raste gjithmonë përfundojnë pa ndonjë bujë të madhe”- tha një nxënës. 
 
Për të përmirësuar gjendjen në fjalë, punëtorët në arsim këshillojnë që duhet  bashkëpunim i të gjitha palëve të involvuara në këtë proces.
 
“Një ndër faktorët kryesor është edhe rrjeti social, ku kemi faqe të ndryshme, të cilat shpeshherë ngacmimet fillojnë këtu nëpërmjet rrjetit të facebook-ut dhe më pas ato shpërndahen nëpër shkolla. Unë prapë do të them dhe njëkohësisht apeloj deri tek Ministria e Arsimit dhe Shkencës, që të gjendet një modus që më së paku një herë në javë, apo njëherë në muaj, të obligohet prindërit të paraqiten në shkollë”- deklaroi drejtori i Shkollës së Mesme “Cvetan Dimov”, Shaip Zeneli.
 
“Ajo që është më me rëndësi është të qasemi për këtë problem sistemor, që nënkupton të inkuadrohen të gjitha strukturat relevante, me qëllim të gjetjes së zgjidhjeve, të cilat do të jepnin kontribut në përmirësimin e gjendjes faktike”- tha psikologja, Ana  Pop Rizova.          
                                             
Hulumtimi i Forumit Rinor Arsimor është realizuar gjatë muajin shkurt-prill 2014 dhe i njëjti i ka përfshirë 31 shkolla me mbi 2 mijë e 381 të rinj.
 
REXHEP QAMILI