Botë
OBSh: Variant “Delta” në 85 vende të botës
27.06.2021 17:55
Drejtori i Përgjithshëm i OBSH-së Tedros Adhanom Ghebreyesus tha se varianti “Delta”...

Drejtori i Përgjithshëm i OBSH-së Tedros Adhanom Ghebreyesus tha se varianti “Delta” i koronavirusit është identifikuar në të paktën 85 vende të botës dhe “është më ngjitës krahasuar me variantet e tjera të identifikuara deri më tani.Ai shtoi se ky variant po përhapet me shpejtësi në mesin e personave të pavaksinuar.
“Disa vende po lehtësojnë masat e shëndetin publik dhe të distancimit fizik, kemi filluar të shohim rritje të infeksioneve në të gjithë botën. Është mjaft e thjeshtë: sa më shumë infeksione, më shumë variante. Një mutacion i ri i variantit Delta të koronavirusit, i identifikuar fillimisht në Indi, është shfaqur në pothuajse 12 vende, përfshirë Shtetet e Bashkuara dhe Britaninë e Madhe”, u shpreh drejtori i OBSh-së, Tedros Adhanom Gebreyesus.
Vaksinat aktuale kineze janë efektive kundër variantit Delta, e megjithatë ekspertët e Shëndetësisë në Kinë thonë se po punohet për zhvillimin e vaksinave të reja që do të shënjestrojnë posaçërisht variantet e fundit.
Varianti delta detyroi Sidnein të rikthente izolimin dy javor nga kjo e diel. Një vatër infektimesh me mutacionin tejet të transmetueshëm u rrit në 110 raste në qytetin më të madh Australian.Gjermania synon të vaksinojë 80 % të popullsisë, dhe premton doza të mjaftueshme për të gjithë në mënyrë që të frenojë përhapjen e variantit Delta.
Rusia, ku 90 % e rasteve janë të variantit indian, ka regjistruar 619 viktima, ditë më vdekjeprurëse e vitit. Për shkak të përhapjes së fortë të variantit Delta të virusit korona, qeveria gjermane kufizoi në mënyrë masive ardhjen në Gjermani të qytetarëve nga Portugalia dhe Rusia.
Duke filluar nga dita e martë, të dy shtetet klasifikohen si të ashtuquajtura zona rreziku.Varianti është përhapur në shumë vende dhe pritet të jetë dominuesi ne Europë deri në fund të gushtit.
REJHANE BUSHI METAJ
