Maqedoni
Filipçe: Në muajin gusht mund t’i japim fund pandemisë
28.06.2021 15:50
Në vend shënohet dita e tretë me radhë pa asnjë viktimë, ndërsa janë regjistruar vetëm 3 persona të infektuar dhe 6 të shëruar.....

Në vend shënohet dita e tretë me radhë pa asnjë viktimë, ndërsa janë regjistruar vetëm 3 persona të infektuar dhe 6 të shëruar. Ministri i shëndetësisë, Venko Filipçe, tha se nëse në vend vazhdon ritmi aktual i infektimeve nga Covid-19, mund të ndodh që në muajin gusht të shpallet fundi i epidemisë.
“Që të shpallet fund i epidemisë duhet që dy cikle reproduktive prej 14-ditësh të mos ketë raste të diagnostikuara dhe ka disa parashikime te ne se si do të mundte ajo të ndodh. Nëse vazhdon ky trend, kjo do të ndodhte në muajin gusht apo në fillim të shtatorit. Spitalet janë thuajse të zbrazëta dhe gjatë natës së kaluar nuk është paraqitur asnjë pacient i dyshuar për Covid-19.”,- deklaroi ministri i shëndetësisë, Venko Filipçe.
Danillovski: Masa restriktive jo, vetëm maskat të mbahen
Sipas numrit të të infektuarve ditëve të fundit masa restriktive nuk duhet të kemi, kurse maskat do të jenë të obligueshme që të mbahen në ambiente të mbyllura, theksoi epidemiologu, Dragan Danillovski.
“Përqindja e të infektuarve nga testet e bëra sipas Qendrës Evropiane për Sëmundje nëse është ndër 3% për 2 javë atëherë shpallet zona e gjelbër. Tek ne më shumë se 2 javë kjo përqindje e personave të infektuar sipas numrit të testeve të bëra është më pak se 1% dhe ditëve të fundit është 0.3% në vendin tonë. Kjo do të thotë se praktikisht ne nuk kemi virus në qarkullim.”,- tha mjeku, Dragan Danillovski.
Mjekët: Qytetarët të vaksinohen
Mjekët apelojnë që qytetarët të paraqiten për t’u vaksinuar, sepse vetëm në këtë mënyrë mund t’i japim fund pandemisë.
“Tani me një sasi të madhe të vaksinave besoj që mund të jepen rreth 15 mijë doza vaksinash, duke u përballur me një valë tjetër të llojit Delta, besoj që do të vetëdijesohemi që mënyra e vetme për t’i dhënë fund pandemisë është që të vaksinohemi.”,- u shpreh mjeku, Aleksandra Grozdanova.
“Vaksinimi është mundësia më e mire për t’u përballur me epideminë. Vaksina kemi në dispozicion. Të gjitha vaksinat që janë të miratuara nga EMA na mbrojnë nga kjo sëmundje.”,- theksoi mjeku, Drgan Petliqkovski.
Në tribunën "Vaksinimi dhe Sfidat me Covid-19", Filipçe tha se kishte shumë presion mbi të drejtat e njerëzve që duan të organizojnë festime martesore të cilat tani për tani lejohen vetëm në ambiente të hapura.
REJHANE BUSHI METAJ
