Maqedoni
Kumanovë, mjekët apelojnë për kujdes të shtuar nga vapa
28.06.2021 16:52
Temperaturat e larta që kanë kapluar edhe rajonin e Kumanovës, kanë shtuar rekomandimet e autoriteteve shëndetësore...

Temperaturat e larta që kanë kapluar edhe rajonin e Kumanovës, kanë shtuar rekomandimet e autoriteteve shëndetësore për kujdes më të madh gjatë vapës me temperatura të këtilla ekstreme. Si zakonisht, gjatë temperaturave të këtilla rritet edhe numri i qytetarëve të cilët kërkojnë ndihmën mjekësore për shkak të komplikimeve të ndryshme. Ekipi i TVM2 sot vizitoi Shtëpinë e Shëndetit - Repartin e Ndihmës e Shpejtë në Kumanovë, ku edhe u njoftuam me gjendjen aktuale shëndetësore të qytetarëve të cilët kërkojnë ndihmë.
“Kemi pasur pacientë të shumtë të cilët kanë humbur vetëdijen, pacientë me ankesa nga vjellja dhe barkqitja, e gjithë kjo vjen si rezultat i temperaturave të larta, ditëve të fundit kemi pasur pacientë në gjendje kritike të cilët madje kanë shkuar në krizë të lartë nervore si pasojë e dehidrimit të trupit. Numri i pacientëve të cilët kërkojnë ndihmë ditëve të fundit është rritur dukshëm edhe atë kemi mbi 35 apo edhe 45 raste në ditë.”,- u shpreh për TVM2 mjekja në Ndihmën e Shpejtë – Kumanovë.
Mjekja Doruntina Selimi Ademi, gjithashtu u rekomandon qytetarëve masa mbrojtëse nga vapa me qëllim parandalimin e sëmundjeve të ndryshme.
“Të gjithë ata qytetarë që janë me sëmundje kardiovaskulare ose që kanë problem me frymëmarrje e kanë rreptësisht të ndaluar të dalin në periudhën kohore prej ora 10:00 deri në ora 17:00, ndërkaq të gjithë ata që janë të shëndoshë duhet t’i ndjekin këshillat e MSH që mos të dalin nga ora 10:00 deri në ora 17:00, obligimet personale t’i kryejnë para ose pas këtij orari, nëse eventualisht dalin, duhet me patjetër të bartin syze, kapelë, veshje më të lehta me ngjyra më të hapura të cilat nuk i marrin rrezet e diellit, si dhe të posedojnë me vete ndonjë shishe me ujë dhe t’i shmangin pijet si kafeja, alkooli, pijet e gazuara etj.”,- tha mjekja Doruntina Selimi Ademi.
Edhe gjatë ditëve në vijim janë paralajmëruar rritje të temperaturave edhe atë deri në 40 gradë celsius, andaj edhe u apelohet qytetarëve që t’i respektojnë rekomandimet e autoriteteve shëndetësore.
FATLUM AQIFI
