Botë

Shembja e pallatit në Miami, 11 viktima, 150 persona nën rrënoja

29.06.2021 09:54

Në 11 ka shkuar numri i viktimave, nga shembja e pallatit 12 katësh në Miami, SHBA, i cili u shemtë enjten e kaluar, 24 qershor...

Në gërmadhat e një godine 12-katëshe të rrëzuar të enjten e kaluar në qytetin e Majamit, ende shpresohet "mrekullia" me të mbijetuarit. Mbi 150 persona janë ende në kërkim ndërsa 11 gjithsej janë nxjerrë pa jetë nga vendngjarja.
 
Ekipet e kërkim-shpëtimit në qytetin amerikan të Majamit vijojnë me shpresë kërkimet për mbi 150 persona të zënë nën një godinë 12-katëshe.
 
Tashmë janë bërë pesë ditë prej ngjarjes tragjike dhe operacionet janë përqendruar te xhepat e gërmadhës prej betoni ku ende mendohet se mund të ketë të mbijetuar.
 
"Kërkim-shpëtimi vazhdon gjithë ditën dhe ekipet kanë bërë mjaft progres. Në pak orë u arrit të gjendej një tjetër viktimë. Në total kemi 136 persona të gjetur, 150 të pagjetur dhe 11 vdekje të konfirmuara."
 
Godina e rrëzuar ndodhet pak dhjetëra metra nga vija e bregdetit dhe për këtë arsye, temperaturat e larta, lagështira dhe zjarret brenda rrënojave i vonuan disi operacionet.
 
Në terren janë bashkuar ekipet e shpëtimit nga Izraeli dhe Meksika.
 
Kompleksi 12-katësh pësoi shembje të pjesshme mëngjesin e së enjtes, kur 55 nga 136 apartamentet e saj u rrëzuan pa shkak, por fundjavën e kaluar u zbulua se ndërtesa mund të kishte probleme teknike serioze në themelet e saj, të hedhura mbi 40 vite më parë.