Komisioni propozon që 31 deputetëve të opozitës t’u merren mandatet

02.12.2014 17:03

Anëtarët e komisionit njëzëri votuan, veç e veç, propozim vendimet për marrjen e mandateve të deputetëve të opozitës.

Komisioni për Çështje të Rregullores, Mandatit dhe Imunitetit konformë Kushtetutës dhe Rregullores i propozoi Kuvendit Republikan që t’ua marrë mandatin 31 deputetëve të opozitës, pasi për gjashtë muaj, nga 10 maji deri më 10 nëntor, nuk kanë marrë pjesë në punën e kuvendit dhe nuk e kanë njoftuar kryetarin se do të mungojnë me arsye.

Anëtarët e komisionit njëzëri votuan, veç e veç, propozim vendimet për marrjen e mandateve të deputetëve të opozitës.

“Dispozitat ligjore për punën e Komisionit për Çështje të Mandatit dhe Imunitetit janë shumë të qarta dhe strikte, njëkohësisht është fakt se këta deputetë, në rastin konkret deputeti, Alen Gjeorgjiev, në periudhën nga 10 maji deri më 10 nëntor nuk ka marrë pjesë në asnjërën nga 40 seancat, nuk ka marrë pjesë as në trupat e punës të kuvendit, ndërsa mungesën nuk e ka arsyetuar te kryetari i kuvendit. Prandaj mendoj se nuk ka dilemë se deputetit, Alen Georgiev, duhet t’i merret mandati i deputetit”- deklaroi kryetar i Komisionit për Çështje të Mandatit, Aleksandar Nikollovski.

Ndërkaq, BDI-ja nuk është e sigurt nëse kuvendi duhet t’u marrë mandatin deputetëve të opozitës ose vetë votuesit në zgjedhjet e radhës. Pavarësisht këtij dyshimi, deputetët e BDI-së mbështetën propozim-vendimet e komisionit për marrjen e mandateve. 

“Nuk parasheh as kushtetuta, as rregullorja ndonjë mënyrë tërthorazi, që të ndryshohet ky vendim, ose në fakt që të veprohet ndryshe nga vendimi i deputetëve të zgjedhur nga opozita. Prandaj kush do të duhet ta gjykojë këtë?! Do të duhet ta gjykojmë ne si komision, kuvendi apo qytetarët, të cilët duhet ta dënojnë këtë mosbesim të shprehur nga deputetët e zgjedhur nga vetë ata”- tha Artan Grubi nga BDI.

BDI, vlerëson se deputetët e LSDM-së duhet të kthehen në kuvend deri në seancën plenare, kur përfundimisht do të merret vendimi rreth mandateve.

Konformë rregullores, kreu i Kuvendit, Trajko Veljanovski, ka për obligim që në seancën e parë plenare të radhës ta vë në rend dite propozim-vendimin e  Komisioni për Çështje të Rregullores, Mandatit dhe Imunitetit.

Marrja e mandatit të deputetit vendoset me shumicë të cilësuar, përkatësisht me 82 vota “pro”. (Shpëtim Nuredini, TVM2)

Foto: telegraf.mk