Maqedoni
Zakariash: Gjuha e RMV-së dikur ishte pjesë e bullgarishtes
29.06.2021 14:39
Portugalia po përmbyll kryesimin me BE-në pa arritje të synimit që Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria...

Portugalia po përmbyll kryesimin me BE-në pa arritje të synimit që Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria të fillojnë bisedimet me BE-në. Sekretarja shtetërore për çështje Evropiane e Portugalisë, Ana Pola Zakariash, dy ditë para se t’ia dorëzojë kryesimin me BE-në Sllovenisë, pret që ky vend të ndihmojë në zgjidhjen e kontesti Shkup-Sofje. Edhe përkundër mirëkuptimit që shpreh për Maqedoninë e Veriut, Zakariash kërkon që të respektohet pozita e Bullgarisë.
“Për momentin, ata po punojnë për diçka si një udhërrëfyes që do t'i ndihmojë ata të punojnë së bashku dhe Bullgaria të ketë garanci se kur Maqedonia e Veriut të bashkohet me BE-në, gjërat do të shkojnë normalisht. Maqedonia e Veriut kaloi nëpër negociata të vështira me Greqinë - mos harroni se ajo ndryshoi emrin e vendit. Por, është shumë e vështirë, sepse lidhet edhe me Bullgarinë si kulturë dhe gjuhë. Padyshim që lidhet me gjuhën e Maqedonisë së Veriut, e cila dikur ishte pjesë e gjuhës bullgare dhe dimensionet kulturore të të dy vendeve.”,- ka thënë Zakariash.
Zakariash: Dialogu Shkup-Sofje duhet të vazhdojë
Sipas saj, është shumë e rëndësishme që mosmarrëveshjet midis dy vendeve të mos futen në BE.
“Mendoj se nuk ishte koha e duhur për një zgjidhje. Bullgarisë i duhej më shumë kohë për të diskutuar këto çështje. Ka ose nuk ka zgjedhje, mendoj se negociatat me Maqedoninë e Veriut duhet të vazhdojnë, veçanërisht në lidhje me udhërrëfyesin, i cili duhet të jetë i qartë. Të dy palët po përpiqen të shprehin pozicionin e tyre - Bullgaria gjithmonë ka thënë se nuk është kundër anëtarësimit të Maqedonisë Veriore në BE, përkundrazi, ajo dëshiron të jetë atje”,- ka thënë sekretarja shtetërore për çështje Evropiane e Portugalisë, Ana Pola Zakariash.
Ndërkohë, mesazhe të ngjashme u dërguan edhe nga Shkupi, se Maqedonia e Veriut do të presë qeverinë e ardhshme të Bullgarisë për të ripërtëritur kontaktet politike me Sofjen për të arritur një kompromis. Deri atëherë, takimet do të vazhdojnë në nivelin e grupeve të punës të koordinuara nga ministrat e jashtme të të dy vendeve.
SANIJE DURAKU
