Ademi: Takime për testimin pas konkretizimit të propozimit
“Plenumi Studentor”, i cili kundërshton aplikimin e provimit shtetëror për studentët, ka paralajmëruar sërish protesta për javën e ardhshme......

Protestat janë paralajmëruar për 11 dhjetor dhe ato do të jenë në formë marshi. Paralajmërimi vjen pas mospranimit të ministrit të Arsimit, Abdylaqim Ademit, që të takohet me përfaqësuesit e “Plenumit studentor”. Por, ministri Ademi edhe njëherë ka sqaruar se takime me të gjitha palët e interesuara do të realizohen pasi të jetë finalizuar propozimi për provimin shtetëror.
“Kur do të hapen debate, ne do të takohemi me të gjithë. E para që do të bëjmë ne do të organizojmë debate publike, ku do t’i ftojmë të gjithë. Mirëpo nëse do të ketë organizata tjera, duke i inkuadruar këtu edhe organizatat e studentëve, të cilët do të organizonin debate në bazë të propozimit tonë, sigurisht që ne jemi të hapur edhe për takime, por edhe për të marrë pjesë në çdo lloj debati që do të organizohet”- deklaroi ministri i Arsimit, Abdylaqim Ademi.
Ademi, njëherit bëri të ditur se ministria është në përfundim e sipër të përpilimit të konceptit për provimin shtetëror, i cili përmban disa parime.
“Parimi i parë është të mos cenohet autonomia e universiteteve, parimi i dytë është të mos cenohet sistemi i Bolonjës, të mos jetë ngarkesë shtesë për universitetet dhe për studentët, të mos ketë efekt retroaktiv në momentin e miratimit të ligjit, nëse do të miratohet dhe sigurisht të mos jetë pengesë për studimet e mëtutjeshme”- tha Ademi.
Ndërsa qëllimi përfundimtar, sipas ministrit Ademi, është ngritja e cilësisë dhe krijimi i mekanizmave juridik, që të kontrollohet cilësia në arsim. (Vlora Latifi-Topojani, TVM2)
