Maqedoni

Pjesëtarët e ARM-së me sukses përfunduan misionet e NATO-s në Afganistan

29.06.2021 15:27

Pas dy dekadësh përfundoi rotacioni i fundit i pjesëtarëve të ARM-së në misionet e NATO-s në Afganistan....

Pas dy dekadësh përfundoi rotacioni i fundit i pjesëtarëve të ARM-së në misionet e NATO-s në Afganistan. Mbi 3.000 paqësorë të RVM-së morën pjesë aktive në misionet e ndryshme ushtarake në Afganistan dhe ISAF. Edhe pse e vështirë, pjesëmarrësit në këto misione thanë se ishte kënaqësi e madhe të përfaqësosh vendin në misione ndërkombëtare ushtarake krah pas krahu me pjesëtarët e vendeve anëtare të NATO-s.
 
“Për një ushtar dhe oficer nuk ka gjë më të lartë se sa të përfaqësosh Armatën dhe vendin tonë në misionet ndërkombëtare. Përgatitjet e grupit  tonë ushtarak për përfaqësim sa më të denjë dhe profesional ishin gjithëpërfshirëse, ndërsa mbështetje më të madhe në pjesën profesionale morëm nga pjesëtarët e ushtrisë gjermane të stacionuar në Kosovë.”,- tha nënkoloneli i ARM-së, Feto Bajrami.
 
Në ceremoninë solemne në kazermën “Ilinden” në Shkup kushtuar kthimit të grupit ushtarak mirëseardhje u dëshiruan presidenti i vendit, Stevo Pendarovski, dhe ministrja e mbrojtjes, Radmila Sheqrinska, të cilët thane se ushtarët në këto misione treguan rezultate të mira ushtarake dhe se anëtarësimi i vendit në NATO është meritë e angazhimit të tyre profesional ushtarak i treguar ndër vite.
 
“Nga një vend dikur si shfrytëzues, me kalimin e kohës u bëmë vend eksportues i sigurisë. Vendimi politik për të dërguar trupat tanë ushtarak jashtë vendit ishte gjithmonë një nga dilemat më të vështira me të cilat mund të përballen politikanët, por sot, nga ky këndvështrim, unë jam i bindur se ishte vendimi i duhur që është marrë.”,- u shpreh presidenti i RVM-së, Stevo Pendarovski.
 
“Në vitin 2001 nuk ishte aspak e lehtë të merret vendimi për të shkuar në misione paqësore në Afganistan. Mirëpo qëndrueshmëria jonë për t’i kaluar këto 20 vite në këto misione edhe në momente kur kishim dëshpërime sa i përket anëtarësimit tonë, ishte po aq e rëndësishme. Anëtarësimi ynë në NATO me të vërtetë është meritë e gjithë 500 pjesëtarëve të misionit “Mbështetje e Vendosur” dhe të atyre 3000 pjesëtarëve tjerë në misionet ISAF i cili filloi në vitin 2002.”,- tha ministrja e mbrojtes, Radmila Sheqerinska.
 
Gjatë këtyre viteve në këto misione morën pjesë gjithsej 3.300 pjesëtarë, prej tyre 190 ishin të gjenisë femërore. Ata ishin të shpërndarë në pozicione të ndryshme në bazat ushtarake në Afganistan, ndërsa tani me vendimin e  fundit të të gjitha vendeve anëtare të NATO-s u tërhoqën trupat e ARM-së në këto misione. 
 
REXHEP QAMILI
GAZETAR:
REXHEP QAMILI