Maqedoni
Zaev, Rama, Vuçiq me deklaratë të përbashkët: Rajonit i duhet BE po aq sa BE-së i duhet rajoni
29.06.2021 15:58
Shtyrjet në procesin e zgjerimit kanë përforcuar idenë për përforcimin e bashkëpunimit rajonal konform Procesit të Berlinit...

Shtyrjet në procesin e zgjerimit kanë përforcuar idenë për përforcimin e bashkëpunimit rajonal konform Procesit të Berlinit, si formimin e të ashtuquajturit Shengen Ballkanik si dhe për të vënë në jetë katër liritë themelore të BE-së.
Në kuadër të nismës për bashkëpunim të përforcuar rajonal u mbajt videokonferenca tripalëshe Zaev, Rama, Vuçiq, në të cilën e përcaktuan deklaratën e përbashkët “Ballkani Perëndimor Evropian”.
“Vendet tona janë pjesë e Evropës dhe gjithmonë do të jenë. Vendeve të Ballkanit Perëndimor u nevojitet BE-ja, aq sa edhe ato i nevojiten BE-së. Mossuksesi i vazhdueshëm i BE-së për të plotësuar premtimet dhe pamundësia e saj për të lëvizur para me hapjen e konferencës së parë ndërqeveritare me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, është në kundërshtim me vullnetin evropian të vendeve tona dhe kundër interesave të vetë BE-së.”- thuhet në kumtesën e përbashkët.
Përkundër status kuo-së së Unionit vis-a-vis procesit të integrimit në BE krerët e tre vendeve përkatëse deklarojnë se mbeten edhe më të përkushtuar në rrugën drejt BE-së dhe bashkëpunimin rajonal.
“Duam më herët, se sa më vonë, të shohim se katër liritë e BE-së lëvizja e njerëzve, mallrave, shërbimeve dhe kapitalit – zbatohen në gjithë rajonin. Dhe ne do të bëjmë gjithçka që është në duart tona të lëvizim drejt këtij qëllimi përmes fuqisë së shembullit tonë. Në këtë frymë, ne do ta shfaqim mbështetjen tonë të plotë për tregun e përbashkët rajonal në Samitin e Procesit të Berlinit më 5 korrik.”- thuhet më tej në kumtesë.
Si rajon me popullsi prej afër 18 milionë banorë krerët e tre vendeve konsiderojnë se mund t’i përforcojmë ekonomitë e tyre, të rrisin mirëqenien e njerëzve dhe të sjellin investime më të mëdha.
Për ta konfirmuar avancimin dhe për të nënshkruar marrëveshje që dalin nga zbatimi i detyrimeve nga Samiti i Berlinit, më 29 korrik, Zaev do të pret në Shkup homologun e tij shqiptar, Edi Rama, dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiq.
Tre liderët rajonal kanë ftuar kolegët në rajon që të nënshkruajnë dhe të zbatojnë marrëveshje të ngjashme, në mënyrë që vizioni i hapësirës së përbashkët politike dhe ekonomike në Ballkanin Perëndimor të bëhet realitet përmes tregut të vetëm. Nuk mungon as thirrja drejtuar BE-së dhe SHBA-ve për më shumë investime në rajon.
SHPËTIM NUREDINI
