Maqedoni

Konfiskimi i pronës, Avramovski: Në RMV e vështirë të konfiskohet prona

29.06.2021 17:12

Rregullativa ligjore që nuk mundëson implementim adekuat dhe mungesa e resurseve njerëzore...

Rregullativa ligjore që nuk mundëson implementim adekuat dhe mungesa e resurseve njerëzore dhe materiale në institucionet kompetente për hetimet financiare, shkakton vështirësi dhe problem gjatë konfiskimit të pronës. Këtë e ka konstatuar hulumtimi i bërë nga monitorimi i procedurave gjyqësore nga "Koalicioni të gjithë për gjykim të drejtë".
 
Në suaza të këtij monitorimi janë detektuar numër i vogël i masave të shqiptuara të konfiskimit.
 
“Në ato aktvendime që i ndoqëm e që janë shqiptuar, vetëm në 20% prej tyre është shqiptuar konfiskimi i pronës edhe pse në të gjitha rastet bëhej fjalë për vepra penale me të cilat është siguruar ndonjë dobi financiare… Në rastet e profilit të lartë për krim të organizuar dhe korrupsion për fat të keq  shumë rrallë shqiptohet konfiskimi dhe për këtë qëllim shumat e konfiskuara janë relativisht të ulëta.”,- deklaroi Darko Avramovski nga Koalicioni "Të gjithë për gjykim të drejtë".
 
Ristovska: Hetimi financiar është i vështirë
 
Hetimi financiar është i vështirë, ndërsa policia financiare për shkak të kapaciteteve të kufizuara jo gjithmonë është efikase, thotë prokurorja publike, Lençe Ristovska.
 
“Ju mund të jeni shumë efikas në një hetim penal dhe mund ta mbaroni për 6 apo 2 muaj, por hetim financiar pa mbështetje të madhe ju nuk mund të mbaroni as për 1 vit, atëherë e parashtroni pyetjen nëse unë e ndjek këtë vepër penale apo pres hetimin financiar, mund që në fund të ditës asgjë të më sjellë si përfitim.”,- tha prokurorja publike, Lençe Ristovska.
 
Tupançevski: Ekzistojnë dispozita, por duhet implementuar
 
Profesori universitar, Nikolla Tupançevski, është skeptik sa i përket miratimit të Ligjit të ri për prejardhjen e pronës. Sipas tij, dispozita të tilla ka, por që të shpërndara në disa ligje. Thekson se ekzistojnë edhe instrumente të tjera që ndihmojnë apo mundësojnë problematikën e konfiskimit, por problemi qëndron tek implementimi.
 
“Ajo që është problem real është se nga viti 2009-2010 ekziston Instituti i Konfiskimit i Zgjeruar. Kjo do të thotë të konfiskohet pronë edhe pa aktvendim të plotfuqishëm gjyqësor. Në RMV grafi për konfiskim të zgjeruar është e zbrazët, pra si dispozitë ekziston, pse nuk është implementuar, përgjigjja duhet kërkuar tek subjektet e drejtësisë.”,- tha profesori universitar, Nikolla Tupançevski.
 
Tupançevski alarmon për rastet kur dikush ka siguruar pronën para se të gjykohet në mënyrë që i njëjti të mos mund të konfiskohet dhe kjo sipas tij duhet të parandalohet.
 
FLORIJE BELULI KAMBERI