Ardian Bilalli, kryetar i ri i Parlamentit Studentor të USHT-së
Prej sot, Parlamenti Studentor i USHT-së do të drejtohet nga udhëheqësia e re, e cila dje ka marrë verdiktin nga studentët....

Ardian Bilalli do të jetë kryetari i ri i Parlamentit Studentor të USHT-së, pasi në zgjedhje fitoi 3325 vota, ndërsa rivali i tij, Nderim Limani, arriti të fitojë 1028 vota. Në vendimin e shpallur nga Komisioni Zgjedhor i Parlamentit Studentor të USHT-së, thuhet se për kryetar të Parlamentit Studentor kanë votuar gjithsej 4437 persona, nga të cilët vetëm 84 prej votave të tyre janë shpallur si të pavlefshme.
Mbrëmë pas shpalljes së rezultateve nga Komisioni Zgjedhor, rektori i Universitetit Shtetëror të Tetovës, prof.dr. Vullnet Ameti, ka përgëzuar të dy konkurrentët për të gjitha aktivitetet që kanë zhvilluar gjatë fushatës. Ai tha se studentët e USHT-së dëshmuan se dinë të organizojnë zgjedhje të lira, fer dhe demokratike, por treguan se dinë edhe të urojnë fitoren, por edhe të pranojnë humbjen, që është parimi thelbësor në demokraci.
Gjatë ditës së sotme, Ardian Bilalli edhe zyrtarisht ka pranuar mandatin nga ish-kryetari i Parlamentit Studentor të USHT-së, Shaban Arsllani, i cili tha se pret që në të ardhmen kryetari i ri, Ardian Bilalli, do t’i realizojë të gjitha objektivat dhe premtimet që i ka bërë gjatë fushatës zgjedhore.
Kryetari i ri i Parlamentit Studentor të USHT-së, Ardian Bilalli, pas marrjes së detyrës së re u zotua se do të bëjë çmos që t’i përmbush detyrimet ndaj studentëve dhe se gjithmonë do të punojë për të mirën e tyre.
Kryetarin e ri të Parlamentit Studentor të USHT-së e ka uruar edhe rivali i tij, Nderim Limani. Ai tha se “pavarësisht garës që është zhvilluar, ne ia shtrimë dorën njëri-tjetrit dhe në të ardhmen do të vazhdojmë të punojmë fuqishëm për të mirën e studentëve dhe të USHT-së”. (Miftar Emini, TVM2)
