Zëvendëspresidentja e Vietnamit, Ti Zoan, për vizitë në Maqedoni

02.12.2014 17:18

Presidenti i Maqedonisë, Gjorge Ivanov, ka pritur sot me nderime të larta shtetërore në rezidencën “Villa Vodno” zëvendëspresidenten e Vietnamit, Ngujen Ti Zoan, e cila vjen për herë të parë në Shkup......

Presidenti Ivanov, tha se do të angazhohet për përforcimin e marrëdhënieve bilaterale mes dy vendeve, që deri tani kanë qenë më të vobekta.

“Sot ramë dakord që në periudhën e ardhshme të angazhohemi bashkërisht, t’i  rregullojmë lëshimet, ta intensifikojmë dialogun politik, të fillojmë ta ndërtojmë kornizën juridike në mënyrë që bashkëpunimit të ndërsjellë t’i japim përmbajtje konkrete”- deklaroi presidenti i Maqedonisë, Gjorge Ivanov.

Si shenjë e bashkëpunimit në mes dy vendeve ishte firmosja e marrëveshjes për angazhimin dhe thellimin e raporteve në sferën e ekonomisë.

“Të dyja palët duhet të angazhohen për ruajtjen e shkëmbimeve të  rregullta dhe vizitave në të gjitha nivelet. Avancimi i bashkëpunimit në fushën e ekonomisë, arsimit, kulturës, turizmit në mënyrë që të realizohen në mënyrë efikase dokumentet e firmosura dhe të krijohen mundësi të volitshme për biznesmenët dhe investitorët”- tha zëvendëspresidentja e Vietnamit, Ngujen Ti Zoan.

Impuls në marrëdhëniet e tërësishme mes dy shteteve dha vizita zyrtare e parë e ministrit të Punëve të Jashtme, Nikolla Poposki, në nëntor të vitit 2012 në Vietnam, që ishte mundësi për prezantimin e Maqedonisë në rajon, ku më pas pasoi edhe vizita e parë e zëvendëspresidentes së Vietnamit, Ti Zoan, e cila pason në 20 vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve. (Farije Dauti-Bakiu, TVM2)