Sterling dhe Kane fundosin Gjermaninë, Anglia ëndërron

30.06.2021 09:12

Raheem Sterling dhe Harry Kane i kanë dhënë një fitore të pastër “Tre Luanëve”

Raheem Sterling dhe Harry Kane i kanë dhënë një fitore të pastër “Tre Luanëve” përballë Gjermanisë duke bërë që tifozët të ëndërrojnë për titullin kampion të Evropës.
 
Në përballjen “titanike” ishte Sterling që shënoi golin e parë në minutën e 75’. Pak minuta më pas, Muller humbi një rast të artë pikërisht nga një gabim i Sterling, por përballë portierit ai gaboi duke e çuar topin jashtë.
 
Kur mbeteshin dhe katër minuta nga fundi, Kane dyfishoi avantazhin duke mposhtur Neuer me kokë duke siguruar fitoren kalimin për në çerekfinalen e Euro 2020.
 
Me këtë gol, Harry Kane ka barazuar Wayne Rooney me shtatë gola të shënuar në kompeteticionet e mëdha. Vetëm Gary Lineker me 10 dhe Alan Shearer me 9 janë mbi të.
 
Kane gjithashtu ka shënuar 30 gola për Anglinë nën drejtimin e Gareth Southgate. Në historinë e Anglisë, vetëm Gary Lineker ka shënuar më shumë gola me një trajner (35 me Bobby Robson).
 
Ndërkohë ylli i Manchester City ka shënuar tre golat e parë të Anglisë në një kompeteticion duke u bërë kështu lojtari i vetëm bashkë me Gary Lineker që mban një rekord të tillë. Sterling shënoi golin e fitores me Kroacinë dhe Çekinë si dhe golin e parë me Gjermaninë.
 
Anglia do të presë fituesen e duelit Suedi-Ukrainë për të mësuar se kush do të jetë kundërshtari i tyre ardhshëm.
 
Kjo fitore e Anglisë në Uemblin e mbushur me 45 mijë persona (90 mijë kapaciteti) shënoi edhe grumbullimin më të madh të njerëzve në Angli që prej pandemisë që nisi vitin e kaluar.