Botë

Pandemia Covid-19, IPE: Ndikoi negativisht te të drejtat e njeriut

30.06.2021 13:00

Pandemia me Covid-19 ka ndikuar negativisht në realizimin e të drejtave dhe lirive të njeriut....

Pandemia me Covid-19 ka ndikuar negativisht në realizimin e të drejtave dhe lirive të njeriut. Më shumë u goditën kategoritë e prekshme, sidomos fëmijët, fëmijët me nevoja të veçanta, qytetarët me rrezik social, një pjesë e popullsisë rome etj. Dhuna në familje sidomos ishte shqetësim më vete, njësoj si edhe mbyllja e institucioneve për qytetarët.
 
“Masat që janë caktuar për mbrojtje të shëndetit të qytetarëve shpeshherë determinojnë ndikim të ndryshëm të institucioneve. Shumë institucione ishin gjysmë të mbyllura, apo gjysmë të hapura. Qasja deri tek drejtësia ishte e kufizuar dhe kapacitetet e institucioneve u kufizuan dhe nuk ishin në nivelin e nevojave të qytetarëve. Në kohën e shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme problem të veçanta u paraqitën rreth dhunës në familje.”,- tha avokati i popullit, Naser Zyberi.
 
Instituti për Politikë Europiane publikoi raportin  e dytë  vjetor për të drejtat e njeriut për vitin 2020.  Nga atje thonë se të gjitha mangësitë do të përfshihen edhe në raportin e BE-së në vjeshtë. 
 
“U shpalosën mangësi në të gjitha sistemet për mbrojtje të të drejtave të njeriut, edhe në vendet e BE-së, por edhe në RMV. Ajo që është e rëndësishme në këtë raport është se me të maten në të njëjtën shkallë vendet anëtare edhe vendet aderuese. Kjo për ne është shumë e rëndësishme, pasi që paraqet bazë të cilën BE do ta marrë në raportin e tyre që do të përgatitet në vjeshtë për progresin e vendit tonë.”,- u shpreh drejtoresha e Institutit për Politikë Europiane, Simonida Kacarska.
 
Autoritetet premtojnë se do punojnë për eliminimin e mangësive.
 
“Ka edhe shumë çështje të hapura, punojmë në planin për përmirësimin e sistemit të burgjeve në pjesën për mbrojtjen e të drejtave të njeriut.”,- theksoi ministri i drejtësisë, Bojan Mariqiq.
 
Hartuesit e raportit rekomandojnë që sa më shumë të përforcohen institucionet që kanë për qëllim mbrojtjen e të drejtave të njeriut, si Avokati i Popullit dhe Komisioni për Mbrojtje nga Diskriminimi.


FLORIJE BELULI KAMBERI