Maqedoni
Rriten temperaturat, 41 gradë deri të enjten, të premten pritet shi
30.06.2021 13:33
Vazhdon i nxehti përvëlues në vend, këtë të mërkurë u regjistruan 40 gradë celsius në Gjevgjeli dhe Demir Kapi...

Vazhdon i nxehti përvëlues në vend, këtë të mërkurë u regjistruan 40 gradë celsius në Gjevgjeli dhe Demir Kapi. Në Shkup temperatura arriti në 39 gradë celsius. Të enjten temperaturat do të rriten me një gradë më shumë. Vetëm të premten presim pak shpëtim nga temperaturat e larta. Pasditen e së premtes priten edhe reshje lokale shiu afatshkurtër dhe bubullima.
“Përvëlohet” Kanadaja, 50 gradë celsius, mbi 130 viktima në një javë
Në Kanada, ndërkohë, prej disa ditësh, vendasit po “përvëlohen” nga temperaturat më ekstreme të regjistruara prej më shumë se 84 vitesh. Të paktën 134 persona kanë humbur jetën kryesisht të moshuar për shkak të temperaturave të larta, që i rritën mbi 49 gradë celsius, duke thyer dhe rekordin kombëtar. Temperatura të larta janë regjistruar në Portland dhe Siatell, në SHBA, përkatësisht 46.1 dhe 42.2 gradë celsius. Në Sardenja në Itali janë aktivizuar 17 vatra zjarresh që kërcënojnë zonat e banuara në ishull. Autoritete angazhuan avionë e helikopterë për luftën me flakët.
Stuhi në Gjermani, Francë e Zvicër, Zelanda e Re zbardhet nga bora
Ndërkohë që shumë shtete po përballen me temperatura tejet të larta, Zvicra, një pjesë e Gjermanisë dhe Franca lindore u goditën të martën nga stuhitë e forta, me reshje të mëdha shiu që paralizuan një pjesë të trafikut në këto vende dhe lënduan 5 persona në Zvicër. Më “ftohtë” po kalon Zelanda e Re që është zbardhur nga bora e shkaktuar nga erërat e ftohta nga Antarktida. Në disa zona është ndërprerë energjia elektrike, dhjetëra autostrada dhe shtigje malore janë mbyllur, për të shmangur incidentet. Sipas meteorologëve vendas, temperaturat e ulëta nën zero gradë do të vijojnë të paktën deri në fund të javës.
GYLTENE SINANI
