Maqedoni
Deklarata e Zakarijashit për maqedonishten, reagojnë institucionet në Shkup
30.06.2021 14:51
Sekretarja shtetërore e Portugalisë, Ana Paula Zakarijash, ka trazuar institucionet dhe politikën në Shkup...

Sekretarja shtetërore e Portugalisë, Ana Paula Zakarijash, ka trazuar institucionet dhe politikën në Shkup me deklaratën e saj se gjuha maqedonase ka qenë pjesë e gjuhës bullgare. Zëvendëskryeministri për çështje evropiane, Nikolla Dimitrov, njoftoi se reagimi i qeverisë ka qenë i menjëhershëm. Sipas tij, Lisbona ka konfirmuar qëndrimin e saj konzistent, si në propozimin e ofruar për zgjidhje, të cilin për herë të parë e zbuloi vetë Dimitrov.
“Na bindën se deklarata absolutisht nuk paraqet qëndrimin e Lisbonës i cili mbetet në linjën e propozimit portugez dhe shprehën keqardhje. Propozimi portugez bazohet në propozim kornizën negociuese që e propozoi KE-ja, paragrafi rreth gjuhës maqedonase të mbetet siç është me formulim të qartë -gjuha maqedonase dhe parasheh deklaratë unilaterale të Bullgarisë rreth pozicionit të tyre.”,- tha zëvendëskryeministri, Nikolla Dimitrov.
VMRO-DPMNE kërkon sqarim nga qeveria
Me sqarimin e propozimit të presidencës portugeze, Dimitrov u dha përgjigje edhe pyetjeve të opozitës maqedonase.
“Qëndrimi se gjuha maqedonase është maqedono-veriore a është pjesë e propozimit që Zaev e pranon? Mekanizmi portugez, i cili ishte i pranueshëm në tërësi nga qeveria d.m.th. se qeveria ka marrë përsipër të pranojë paradigmën e turpshme se gjuha maqedonase është pjesë e gjuhës bullgare?”,- u shpreh Andonovski nga VMRO-DPMNE.
Deklaratën e ministres portugeze Zakarijash e dënoi edhe presidenti Pendarovski, sipas të cilit kjo e para ka rrënuar angazhimin e kolegut të saj De Silva që angazhohej për zgjidhje. Shfaqi pritjet e tij nga presidenca sllovene.
“I varrosi të gjitha përpjekjet që kolegu i saj nga qeveria e njëjtë De Silva i bënte për disa muaj që në fund të kryesimit gjashtëmujor të del me një propozim të shkëlqyer, i cili mbante llogari për interesat vitale kombëtare edhe të Maqedonisë së Veriut edhe të Bullgarisë.”,- theksoi presidenti i Republikës, Stevo Pendarovski.
Në ndërkohë Qeveria ka miratuar Programin Kombëtar për miratimin e së drejtës së BE-së, ku definohen drejtimet strategjike, prioritetet, dinamikën dhe resurset e nevojshme si dhe aktivitetet për përshtatjen e institucioneve nacionale ndaj strukturave administrative evropiane. Në kontest të nivelit të harmonizimit të rregullativës ligjore me atë të BE-së, theks i veçantë vihet në ambientin, në sigurinë e ushqimit dhe në tregun e brendshëm.
SHPËTIM NUREDINI
