Maqedoni

“Dialogu i Forumit të Prespës", përfaqësues të lartë nga SHBA, BE e rajoni - në RMV

30.06.2021 15:10

Më 1 dhe 2 korrik, në Ohër dhe Oteshevë, mbi 300 përfaqësues të lartë të politikës rajonale, europiane dhe të SHBA-ve...

Më 1 dhe 2 korrik, në Ohër dhe Oteshevë, mbi 300 përfaqësues të lartë të politikës rajonale, europiane dhe të SHBA-ve, mblidhen në konferencën më të madhe ndërkombëtare "Dialogu i Forumit të Prespës". Tema kryesore e konferencës do të jetë "Ballkani Perëndimor: Pjesa që mungon që Evropa të jetë e plotë". Qeveria thotë se ky forum bazohet në Marrëveshjen e Ohrit, atë të Prespës dhe Marrëveshjen me Bullgarinë, marrëveshje këto që krijojnë një imazh të ri alternativ jo vetëm për ne, por edhe për rajonin. 
 
"Si temë për konferencën e parë, ne zgjodhëm një çështje e cila gjatë gjithë vitit ishte fokusi i politikës sonë të jashtme, e kjo është të azhurnojmë pranimin tonë në BE, duke ndjekur trendin jo vetëm në vendin tonë, por edhe në rajon, e që është edhe një çështje strategjike dhe interes strategjik i BE-së që të integrojë Ballkanin Perëndimor, si një pjesë të munguar, për të përfunduar projektin për një Europë të bashkuar. Jo vetëm krijimi i platformës, por edhe tema e konferencës tregoi tek partnerët tanë ndërkombëtarë një, se ne nuk jemi vëzhgues memecë të procesit, por kontribuojmë në mënyrë aktive në realizimin e projektit, duke dhënë kontributin tonë, duke ndjekur trendet”,- thonë nga Qeveria. 
 
Në “Dialogun e Forumit të Prespës”, nga jashtë do të marrin pjesë dy presidentë, Borut Pahor dhe Milo Gjukanoviç; 4 kryeministra: Edi Rama, Zoran Tegeltija, Ana Brnabiq dhe Albin Kurti; dhe tetë ministra të jashtëm. Forumit nuk kishte si t’i mungojë edhe ish-kryeministri grek, Alexis Tsipras, nënshkruesi i Marrëveshjes së  Prespës, e as përfaqësuesit e rëndësishëm nga i ashtuquajturi “Grupi i Ohrit”. Të pranishëm padyshim do të jenë përfaqësues të lartë nga SHBA dhe BE, Philip Reeker, Matthew Palmer, Johannes Hahn dhe Miroslav Lajçak, përfaqësues të lartë të OSBE-së dhe Këshillit të Europës, e përfaqësues të institucioneve të tjera të rëndësishme ndërkombëtare dhe të organizatave joqeveritare në vend.
 
GAZMEND REXHEPI