Grubi: LSDM-ja, të mos shpresojë të fitojë pushtetin nëpërmjet BDI-së

02.12.2014 17:58

Opozita maqedonase nuk duhet të shpresojë që të kthehet në pushtet përmes BDI-së dhe liderit të saj, Ali Ahmetit, por duhet të kthehet në parlament pasi mandati i deputetit është tepër i fuqishëm, sepse merret me 7 deri në 10 mijë vota.....

Kështu ka deklaruar deputeti i BDI-së, Artan Grubi, i cili potencoi se nuk mund të arrihet në pushtet me nxitje të marrëdhënieve ndëretnike, me rrugë dytësore, si dhe sulme indirekte ndaj shumicës parlamentare.

“Që nga viti 2002 deri më sot, herë njëra parti maqedonase herë tjetra parti janë përpjekur që të vijnë në pushtet nëpërmjet Ali Ahmetit dhe BDI-së. Këtë po e shohim nga viti 2008 deri në vitin 2014, gjithashtu edhe si pjesë të strategjisë së opozitës maqedonase dhe disa opinionbërësve, të cilët janë të afërt me opozitën maqedonase. Është për të ardhur keq e gjithë kjo përpjekje që tërthorazi të arrihet në pushtet. Në pushtet arrihet vetëm me ofertë konkurruese, vetëm me punë të palodhshme në teren me qytetarët e RM-së dhe me vota të lira në zgjedhjet fer dhe demokratike të qytetarëve”- deklaroi deputeti i BDI-së, Artan Grubi.  

Por, profesori universitar, Nano Ruzhin, vlerëson se në vazhdimësi partitë politike shqiptare dhe maqedonase e shfrytëzojnë njëra-tjetrën për të qëndruar në pushtet, duke përdorur lojën me marrëdhëniet ndëretnike.

“Kështu që sjellja e z. Grubit në fakt është një formulë e zakonshme që të zbuten disa qëndrime të kryetarit të partisë, ose të japin ndonjë siguri të caktuar tek partneri i koalicionit, për shkak se fjalët e tilla për dikë mund të jenë alarmante, pasi nuk jemi të gjithë me nervat e njëjta dhe me nivelin e njëjtë të përmbajtshmërisë”- tha analisti politik, Nano Ruzhin.

Madje, analisti Ruzhin, e ka ndërlidhur këtë edhe me “bombën” e paralajmëruar nga LSDM-ja.

“Mendoj se për këtë që vjen si njoftim, sipas asaj që të gjithë presin, është e nevojshme një pjekuri e situatës dhe për të do të vendosin para së gjithash liderët e opozitës se kur ajo do të ndodhë, në cilin moment, në çfarë mënyre do të ndodhë dhe çka në përgjithësi mund të presim, për shkak se të gjithë jemi kurioz, asgjë nuk dihet. Diçka në popull flitet se bëhet fjalë për skandale seksuale, për kriminal dhe për disa skenarë të zeza, për të cilat unë nuk dua të dëgjoj aspak. Por, këto janë fjalë që i flet populli, ndërsa për këto punë duhen argumentet, a argumentet i presim”- u shpreh analisti politik, Nano Ruzhin.

Sipas analistit Ruzhin, opozita maqedonase nuk po e shpërthen “bombën” e paralajmëruar pa ardhur momenti i duhur, pasi skandalet, të cilat përfliten, mund të izolohen nga pushteti, njëjtë siç ishte rasti me skandalin për “Makedonska Bankën” apo edhe me pasaportat false. (Mefail Ismaili, TVM2)