Musliu: Me buxhetin e Shkupit, investime edhe në lagjet shqiptare

02.12.2014 18:07

Buxheti i Qytetit të Shkupit për vitin 2015 përfshin projekte të shumta edhe në lagjet ku pjesa dërmuese e banorëve janë shqiptarë.....

Këtë fakt e  bëri  të ditur  këshilltari i  BDI së në Qytetin e Shkupit, Qemal Musliu, sipas të cilit parashihet zgjerimi dhe rekonstruimi i më shumë rrugëve, ndërtimi i rrjeteve atmosferike dhe një sërë projektesh tjera me rëndësi esenciale për këto vendbanime.

“Parashihet rekonstruimi dhe zgjerimi i rrugës kryesore në fshatin Saraj dhe ka mundësi që kjo rrugë të zgjerohet. Në Komunën e Shuto Orizarit parashihet një projekt gjeneral për rikonstrumin e ujësjellësit, po ashtu nga ky projekt do të përfitojë edhe Vizbegu. Në Komunën e Butelit finalizimi i projektit për kanalizimin fekal në Luboten, ndërtimi i rrjetit atmosferik në rrugën “Boca Ivanova” dhe rikonstruimi i rrugës “Kemal Sejfulla””- deklaroi këshilltari i BDI-së në Qytetin e Shkupit, Qemal Musliu.

Edhe Komuna e Çairit do të përfitojë nga buxheti për këtë vit, me ç’rast është planifikuar zgjerimi i shumë rrugëve dhe finalizimi i projekteve të parapara.

“Së pari, rrumbullakimi i projektit për rrjetin atmosferik në Gazi Babë, zgjerimi i “Rrugës së plastikave”, i rrugës “Cvetan Dimov” dhe “Hristian Todorovski-Karposh” prej “Xhon Kenedi” e deri tek qarkorja dhe projekt për rreth rrotullimin në dy nivele, ndërmjet pallatit të gjyqeve dhe Qendrës Tregtare “Mavrovasja””- tha këshilltari i BDI-së në Qytetin e Shkupit, Qemal Musliu.

Janë përkrahur edhe projekte në sferën e kulturës, sportit, mbrojtjes së fëmijëve, shëndetësisë, projekte këto që janë me rëndësi jetike për zhvillimin e vendbanimeve, ku  një numër i konsiderueshëm i banorëve janë shqiptarë. (Flutura Latifi, TVM2)