Shtimi natyror negativ, vitin e kaluar 6.724 më shumë vdekje, se sa lindje

02.07.2021 14:05

Në vend vitin e kaluar numri i personave....

Në vend vitin e kaluar numri i personave që kanë ndërruar jetë është më i madh se i lindjeve. Përkatësisht, vitin e kaluar kanë lindur 19,031 njerëz dhe 25,755 kanë vdekur, gjë që regjistroi një rritje natyrore negative prej 6.724 njerëz.

Sipas të dhënave të Entit Shtetëror të Statistikave, në Republikën e Maqedonisë së Veriut, vitin e kaluar në zonat urbane kanë lindur 11.258 fëmijë të gjallë ose 59.2% nga numri i përgjithshëm i lindjeve të gjalla, ndërsa 7.773 ose 40.8% të fëmijëve të gjallë kanë lindur në zonat rurale.

Përqindjen më të madhe të lindjeve e ka sipas rajoneve e ka rajoni i Shkupit me 38.8%, kurse përqindjen më të vogël e ka rajoni lindor me 6.1%.

Mosha mesatare e nënave për nga numri i përgjithshëm i lindjeve në zonat urbane është 29.8 vjet, ndërsa 28.4 vjet në zonat rurale. Mosha mesatare e lindjeve të para në rajonet urbane është 28.1 vjeç, dhe në zonat rurale 25.9 vjeç.

Në lindjen e parë, nënat nga rajonet rurale janë 2.2 vjet më të reja. Sa i përket vdekjeve, në rajonet urbane kanë vdekur 15.948 persona ose 61.9% , ndërsa 9.807 persona ose 38.1%  kanë vdekur në rajonet rurale.

Përqindjen më të madhe të vdekjeve, sipas rajoneve, e ka rajoni i Shkupit me 28.5%, ndërsa përqindja më e vogël është regjistruar në rajonin e Vardarit me 8.1%.

Në zonat urbane ka 64 vdekje të foshnjave, ndërsa 44 në zonat rurale. Mosha mesatare e të vdekurve në zonat urbane është 73.1 vjet, dhe në zonat rurale 73.6 vjet. Shtimi natyror është negativ dhe arrin në -4.690 persona në zonat urbane dhe -2.034 persona në zonat rurale.

Vetëm rajoni i Shkupit shënon një rritje natyrore pozitive, kurse rajonet e tjera kanë një rritje natyrore negative. Sa i përket statistikave për migracion, të dhënat për migracionin e brendshëm, në kuadër të të njëjtit rajon, tregojnë se pjesën më të madhe prej 37.6%  e kanë migrimet nga fshati në qytet, në krahasim me zhvendosjet nga qyteti në fshat që përbën vetëm 8.7% të rasteve.

Ndërkohë përqindja më e madhe e migrimeve jasht vendit është në rajonin e Shkupit, përkatësisht 785 persona,  kurse më e vogël në rajonin Jug-lindor me 129 persona. (Belinda Koka – Ademi, TVM2)