Ballkani, prioritetet i shefes së Diplomacisë evropiane

02.12.2014 18:28

Shefja e Politikës së Jashtme në Bashkimin Evropian, Federica Mogerini, gjatë mandatit të saj do të ketë prioritet Ballkanin Perëndimor.......

Deklaratën Mogerini e ka bërë gjatë një konference për shtyp në Bruksel, me ministrin e Jashtëm të Shqipërisë, Ditmir Bushatin. Sipas shefes së Politikës së Jashtme, Shqipëria është një histori suksesi në Ballkan dhe pak më shumë vëmendje të jepet ndaj banorëve të këtij rajoni, gjithçka mund të ndryshojë për mirë.

“Ky takim ishte një shans i rëndësishëm për të diskutuar mbi marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe BE-së dhe për hapat e mëtejshëm pozitiv që do të ndjekim në të ardhmen. E kam thënë gjithmonë që Ballkani Perëndimor si rajon do të jetë një prioritet për mua, pasi është rajoni ku me pak punë konstante nga ana e BE-së mund të bëj shumë diferencë për banorët e këtij rajoni, por edhe për vetë Bashkimin Evropian. Shqipëria është një histori suksesi në këtë rajon. Kemi nevojë të vijojmë në këtë rrugë, jo vetëm për BE-në, për Shqipërinë dhe shqiptarët, por edhe për të gjithë rajonin. Roli që Shqipëria mund të luajë në rajon është thelbësor dhe këtë e di unë, e dini ju dhe mendoj se kemi nevojë të vijojmë në këtë rrugë, jo vetëm për integrimin evropian, por edhe për integrimin rajonal. Shqipëria do të vijojë në këtë rrugë reformash dhe ndryshimesh si brenda Shqipërisë ashtu edhe në rajon”- deklaroi shefja e Politikës së Jashtme në BE, Federica Mogherini.

Ndërsa ministri i Jashtëm i Shqipërisë foli kryesisht për vendosmërinë për të dhënë kontribut në rajon në fushën e sigurisë, duke u rrethuar plotësisht në koalicionin kundër terrorizmit.

“Diskutuam mbi nevojën për ndihmën që ka Ballkani Perëndimor nga BE për të transformuar rajonin e Ballkanit Perëndimor si politikisht, po ashtu edhe ekonomikisht, por edhe në anën e sigurisë. Qartësia gjeopolitike është çelësi nëse duam të ndërtojmë një shtet me qëllim të përbashkët dhe vlera të përbashkëta në rajonin e Ballkanin Perëndimor. Ashtu siç përfaqësuesja e lartë e di, Shqipëria është krenare me arritjet e saj në rreshtimin e plotë në koalicionin kundër terrorizmit dhe ne do të vijojmë në këtë rrugë dhe do të vijojmë edhe të avancohemi në procesin e demokratizimit dhe transformimit të rajoni”- tha ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Ditmir Bushati. (Luljeta Ndoka, TVM2)