Maqedoni
Rishikimi i buxhetit, LSDM: VMRO kundër interesave të qytetarëve
02.07.2021 16:21
Vazhdimi i senacës për rishikimin e buxhetit ka përplasur VMRO-DPMNE -në dhe LSDM-në...

Vazhdimi i senacës për rishikimin e buxhetit ka përplasur VMRO-DPMNE -në dhe LSDM-në. Kjo e fundit ka akuzuar kreun e komisionit për Financa dhe Buxhet Timço Mucunski se me mos caktimin e seancës VMRO-DPMNE po rreshtohet në anën e kundërt të interesave të qytetarëve.
“Timço Mucunski nga VMRO-DPMNE me këmbëngulje nuk e cakton seancën e Komisionit për Financa dhe Buxhet në të cilën duhet të diskutohet ribalanci i Buxhetit për 2021. Me këtë veprim, VMRO-DPMNE përsëri tregoi se është kundër masave që sigurojnë rritje ekonomike dhe më shumë para për qytetarët. VMRO-DPMNE është kundër më shumë parave për masa aktive të punësimit, të cilat parashikohen me ribalancin e buxhetit”, u shpreh Bisera Kostadinovska Stojçevska nga LSDM.
Rishikimi i buxhetit, VMRO: LSDM po sillet në mënyrë arbitrare
Por nga VMRO-DPMNE thonë se LSDM është ajo që po sillet në mënyrë arbitrare dhe se po shkel praktikat e krijuara me caktimin dhe mbajtjen e seancave të tjera të Komisioneve derisa zgjat debati për ribalancin e buxhetit.
“Si deputetë nga VMRO-DPMNE dhe Koalicioni, duam të informojmë opinionin maqedonas se një sjellje e tillë e dhunshme e LSDM-së dhe mazhorancës, e bën të pamundur vazhdimin e debatit mbi rishikimin e buxhetin për 2021. Qartë, LSDM dhe shumica nuk i respektojnë praktikat e vendosura, ata nuk respektojnë as procedurat, as marrëveshjet e mëparshme për funksionimin e rregullt dhe punën e Komisionit për Financa dhe Buxhet”, theksoi Eli Panova nga VMRO-DPMNE.
Sipas procedurës parlamentare, ndryshimet e propozuara për buxhetin do të debatohen për dhjetë ditë, pas çka rishikimi do të kalojë në seancë plenare për votim. Ky është rishikimi i parë i buxhetit të shtetit këtë vit.
NAIM RAMADANI
