Obama: Secilit polic do t’i vendoset kamerë

02.12.2014 18:44

Presidenti amerikan, Barak Obama, ka shprehur shqetësimin e tij lidhur më mbizotërimin e së drejtës dhe për vendimet e jurisë për rastet specifike, duke përfshirë këtu edhe vendimin e jurisë për mosdënimin e agjentit të policisë, i cili qëlloi për vdekje një të ri me ngjyrë, me çka lokaliteti i Fergusonit në Misuri u përfshi javën e kaluar nga protestat masive kundër këtij vendimi.....

Presidenti Obama, në një takim të zhvilluar me kryebashkiakët, aktivistët e të drejtave civile dhe zyrtarët e Forcave të Rendit në Shtëpinë e Bardhë ia kërkoi kongresit fondet pas një seri protestash mbarëkombëtare ndaj padrejtësive të policisë.

“Ndjesia e përgjithshme është se në një vend me parime, si ai i barazisë së të gjithëve, para ligjit nuk po funksionon njësoj për të gjithë, sidomos të rinjtë me ngjyrë e ndjejnë se nuk po trajtohen ndershmërisht. Siç e thashë edhe javën e kaluar, kur cila do pjesë e familjes amerikane ndihet se nuk po trajtohet me drejtësi, atëherë  ky është një problem për të gjithë ne”- deklaroi presidenti i SHBA-ve, Barak Obama.

Obama, ka kërkuar rreth 263 milionë dollarë për të përmirësuar përgatitjen e Forcave të Policisë. Fondet e kërkuara nga presidenti do të shpenzohen në një periudhë 3 vjeçare dhe një pjesë e tyre do të shkojnë për blerjen e 50 mijë kamerave trupore për oficerët e policisë, si dhe për reformimin e forcave ligjzbatuese. (Valbon Bexheti, TVM2)