Botë
Berlini, nikoqir virtual i samitit të tetë të “Procesit të Berlinit”
05.07.2021 10:29
Berlini sot është nikoqir virtual i samitit të tetë të “Procesit të Berlinit”.....

Berlini sot është nikoqir virtual i samitit të tetë të “Procesit të Berlinit”. Një nga temat kryesore të tij do të jetë ndërtimi i një tregu të përbashkët rajonal në Ballkanin Perëndimor, të rënë dakord nga liderët e Ballkanit Perëndimor në samitin e nëntorit 2020. Ky dakordim iu referohet katër lirive themelore: lëvizja e lirë e njerëzve, mallrave, shërbimeve dhe kapitalit, e këto synime duhet të arrihen deri në vitin 2024.
Këshilli për bashkëpunim rajonal (RKC) dhe Sekretariati i Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë të Evropës Qendrore (CEFTA) janë veçanërisht të angazhuar në zbatimin e Planit të veprimit për tregun e përbashkët rajonal. Plani ekonomik dhe i investimeve i Komisionit Europian për Ballkanin Perëndimor nga tetori 2020 parashikon përdorimin e deri në nëntë miliardë euro nga Instrumenti i BE-së për ndihmën e para-anëtarësimit (IPA III), ndërsa do të mobilizohen garanci shtesë investimesh deri në 20 miliardë euro nga sektori privat si dhe institucionet financiare evropiane dhe ndërkombëtare.
“Procesi i Berlinit” filloi në vitin 2014 në mënyrë që të promovohet bashkëpunimi rajonal dhe me këtë të përforcohet afrimi i vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe BE-së.
Rezultatet konkrete të tij janë heqja e tarifave të roamingut në Ballkanin Perëndimor nga 1 korriku, zgjerimi i infrastrukturës së transportit dhe energjisë dhe lidhja e tij me korridoret e BE-së dhe krijimi i një Zyre rajonale për të rinj (RYCO).
