Botë

Aeroplanë iranianë kanë kryer sulme ndaj SHI-së në Irak

03.12.2014 09:47

Aeroplanë ushtarak iranianë gjatë dy ditëve të fundit kanë kryer një sërë sulmesh ndaj pozicioneve të grupit Shteti Islamik (SHI)...

Aeroplanë ushtarak iranianë gjatë dy ditëve të fundit kanë kryer një sërë sulmesh ndaj pozicioneve të grupit Shteti Islamik (SHI), njoftoi mbrëmë zëdhënësi i Pentagonit, Xhon Kirbi.
 
"Kemi dëshmi se iranianët kanë kryer sulme me aeroplanë F-4 Fantom", theksoi Kirbi.
 
Deklarata e Kirbit pasoi pasi televizioni AL Arabia emetoi video incizim në të cilat është shfaqur se si aeroplanë të tipit F-4 kryejnë sulme ndaj caqeve në provincën irakiane Diala në afërsi të kufirit me Iranin.
 
Aeroplanët e prodhimit amerikan F-4 Fantom ende janë pjesë e Aviacionit ushtarak iranian.
 
Kirbi theksoi se Qeveria irakiane është e obliguar t'i koordinojë sulmet ajrore ndaj xhihadistëve, që i kryejnë forcat e armatosura të vendeve të përfshira në koalicionin ndërkombëtar për luftë kundër SHI-së.
 
Zëdhënësi i Pentagonit shtoi edhe se nuk ka ndryshim në politikën e SHBA-së lidhur me refuzimin që të bashkëpunohet me Iranin.
 
Armata iraniane është aktive në rajonet kufitare midis Iranit dhe Irakut dhe u ndihmon grupeve militante shiite dhe forcave irakiane në luftën kundër kryengritësve sunitë, por kjo është hera e parë që Uashingtoni të konfirmojë se aeroplanë iranianë kryejnë sulme ajrore ndaj SHI-së.
 
Sipas burimeve diplomatike, ekzistojnë informata edhe se Irani i ka lënë në dispozicion Irakut aeroplanë të tipit Su-25, të cilët i drejtojnë pilotë iranianë./MIA