Botë
Lehtësohen masat covid në Europë, shtohet frika nga një valë e re
06.07.2021 12:29
Vijon situata e rëndë me pandeminë e virusit korona në Rusi....

Vijon situata e rëndë me pandeminë e virusit korona në Rusi. Të hënën u raportuan mbi 24 mijë raste të reja, duke e çuar totalin e të infektuarve në mbi 5.6 milionë. Qeveria raportoi 654 jetë të humbura në 24 orët e fundit, për një total prej 138 mijë viktimash.
Shpresa për të thyer valën e re të përhapjes, të përzierë dhe me variantin Delta, mbetet tek vaksinimi i qytetarëve. Për të promovuar fushatën e vaksinimit, baret në Rusi po ofrojnë birra falas për ata që imunizohen ndaj Covid-19.
Jeta e natës në Europë, e rivitalizuar pas heqjes së kufizimeve, po shndërrohet në një problem për shumë shtete.
Në Katalonjë ka një rritje të ndjeshme të rasteve të reja. Sipas autoriteteve, kjo i atribuohet grumbullimeve masive të të rinjve në klabe dhe pube duke festuar pas respektuar asnjë masë për ruajtjen e shëndetit publik. Po e njëjta situatë po raportohet në Itali dhe Francë.
Në Austri është lejuar rihapja e klubeve të natës dhe shtetërrethimi pas mesnatës është hequr në fillim të këtij muaji. Por qytetarët që duan të hyjnë në klube atje , duhet të tregojnë nëse janë vaksinuar me një dozë, nëse janë negativë ndaj Covid-19 ose e kanë kaluar atë.
