Botë
Kovid 19 në botë: Varianti Delta po ndiqet me shqetësim
06.07.2021 19:13
Varianti Delta po vazhdon të ndiqet me shqetësim nga autoriutetet shëndetsore në botë...

Përveç shtimit të infektimeve të reja, ky lloj i virusit duket se ka ndikim edhe te vaksinat. Izraeli ka bërë të ditur se vaksina Pfizer/Biontech me të cilën ka vaksinuar një pjesë të madhe të popullsisë, së fundmi ka treguar një ulje të efektivitetit.
Rënia përkoi me përhapjen e variantit Delta dhe fundin e kufizimeve të distancimit shoqëror në Izrael. Vaksinat e Pfizer-BioNTech janë 70 për qind efektive kundër variantit Delta të COVID-19, tregojnë rezultatet e studimit të kryer në Izrael nga Universiteti Hebraik. Gjetja e re krahasohet me shkallën e efektivitetit 95 për qind të vaksinës kundër valëve të hershme të virusit.
Varianti Delta, i cili u zbulua për herë të parë në Indi, thuhet se është përgjegjës për më shumë se 90 për qind të rasteve të reja me COVID 19 në Izrael gjatë dy javëve të fundit. Por edhe pse variant delta është bërë shqetësues, disa shtete evropiane përfshi Britaninë vazhdojnë të heqin kufizimet. Por qytetarët britanik thonë se do të vazhdojnë të jenë të kujdeshëm.
“Vetëm pse njerëzit do ti heqin maskat, kjo nuk do të thotë se edh unë jam I detyruar ta bëj atë. Unë do të vazhdoj ta mbaj maskën”.
“Disa njerëz mund të hyjnë në autobus dhe dikush të mos mbajë maskë, por secili duhet të kupton se kjo është një çështje personale, apo jo?”
“Unë do të mbajë maskën ende në transportin publik, por gjatë kohës tjetër të mbetur, jo”, shprehen qytetarët e Britanis së Madhe.
Ndërkohë, Instituti i Shëndetit Publik të Gjermanisë ka bërë të ditur se Mbretëria e Bashkuar, India, Nepali, Portugalia dhe Rusia nuk janë më zona shqetësuese ndaj variantit Delta, prandaj vizitorëve të vaksinuar nuk do t’u kërkohet karantinë.
Megjithatë, personave jo të vaksinuar do t’u kërkohet ende karantinë deri në 10 ditë, dhe nëse duan që karantinën ta përfundojnë më herët duhet të paraqesin një test negativ në ditën e pestë. Varianti delta po ndiqet me shqetësim ehe nga autoritetet shëndetsore greke.
Atje thonë se për një kohë të shkurtër do të dyfishohen rastet e reja të infektimit si pasojë e përhapjes së këtij variant. Edhe në Irlandë 70% e rasteve të reja janë varianti Delta, sipas një njoftimi nga autoritetet shëndetësore.
Që nga dhjetori i vitit 2019, pandemia ka marrë jetën e mbi katër milionë personave në mbarë botën me mbi 184 milion raste, derisa aktualisht ka edhe 11 milion e 626 mijë e 659 raste aktive.
BELINDA KOKA ADEMI
