Botë

Sulmohen mbi 50 gazetarë gjatë protestave të dhunshme në Gjeorgji

07.07.2021 09:53

Më shumë se 50 gazetarë u rrahën dhe disa u shtruan në spital të hënën ndërsa po mbulonin një protestë...

Më shumë se 50 gazetarë u rrahën dhe disa u shtruan në spital të hënën ndërsa po mbulonin një protestë kundër një tubimi për të drejtat e homoseksualëve në kryeqytetin e Gjeorgjisë, Tbilisi.

 
Protestuesit, të cilët u mblodhën në një kundërtubim ndaj Marshit të Tbilisit për Dinjitet, bllokuan një rrugë kryesore në qytet dhe akuzuan mediat si propaganduese të lëvizjes LGBTQI.Kalimtarët dhe turistët u përfshinë nga dhuna dhe një person u godit me thikë.
 
Disa ndërtesa, përfshirë zyrat e organizatës “Tbilisi Pride” dhe ndërtesat që i përkasin partisë politike të opozitës Girchi dhe një organizate për të drejtat civile, gjithashtu u dëmtuan.
 
Tbilisi Pride, organizatorët për ngjarjen Marshim për Dinjitetin, e kishin anulluar paraprakisht tubimin, duke thënë se autoritetet kishin dështuar të ofronin sigurinë e nevojshme, njoftoi agjensia e lajmeve Associated Press.
 
Grupi për të drejtat e mediave IPI thotë se ekipet e lajmeve u sulmuan dhe u shkelmuan, u goditën nga shishe dhe objekte të tjera dhe iu dëmtuan pajisjet.
 
Të paktën dy gazetarë patën nevojë për operacion, përfshirë Alexander Lashkaravani, një operator i kanalit TV Pirveli, i cili kishte kocka të thyera në fytyrë dhe një sy të dëmtuar; si dhe Roma Tarughishvili, një video gazetare për Palitra News, e cila kishte një frakturë të hundës dhe dëmtime në kokë.
 
Një operator për transmetuesin publik Channel One kishte lëndime në të dy sytë, dhe dy gazetarë të Radios Evropa e Lirë / Radio Liria u plagosën, njëri prej tyre me hundë të thyer.
 
Ministria e Brendshme e Gjeorgjisë tha se ka arrestuar tetë persona dhe ka folur me 25 përfaqësues të mediave. Autoritetet thanë se po shqyrtojnë pamjet filmike të dhunës.