Maqedoni
Ligji për fshirje të kamatave, Bytyqi: Do ti ndihmojmë më shumë se 150 mijë qytetarë
07.07.2021 13:04
Ligji për heqje të kamatës do t’u ndihmojë më shumë se 150 mijë qytetarëve....

Ligji për heqje të kamatës do t’u ndihmojë më shumë se 150 mijë qytetarëve, deklaron zv/kryeministri Fatir Bytyqi. Gjithsesi, shton se efekti final i kësaj mase do të shihet pasi të fillojë me zbatim. Por, përkujtoi se kjo masë nuk nënkupton falje të borxheve apo fshirje të borxhit kryesor.
“Ka kohë të përcaktuar me ligj, përkatësisht 90 ditë nga hyrja në fuqi e ligjit patjetër duhet të thirren të gjithë personat fizik të cilët kanë borxh dhe të bëhet riprogramim i borxhit kryesor dhe fshirje e kamatës bazë të borxhit të cilin e kanë pasur, pa marrë parasysh cilit institucion. Dilemën që gjithmonë dikush e parashtron është se “a do të thotë kjo se ata që paguanin janë në një situatë të pabarabartë?" Jo! Për shkak se është e drejtë që për ata që në një moment nuk kishin kapacitet financiar, që ishin në kategorinë sociale,që nuk mund të paguanin ato taksa dhe borxhi i tyre është akumuluar në bazë të interesit të papaguar, t'i ndihmojmë që të dalin nga varfëria.”, tha Fatmir Bytyqi, zv/kryeministër.
60 orë pune në javë, Bytyqi: Punëtorët do paguhen për punën shtesë
I pyetur ndërkohë se cdo të ndodhë me punën shtesë të punëtorëve të angazhuar nga konsorciumi amerikano - turk "Bechtel dhe Enka" që do punojnë për ndërtimin e autostradave nga Korridori 8 dhe asaj ndërmjet Prilepit dhe Manastirit, Bytyqi thotë se ligjet vlejnë njësoj edhe kur punonjësit angazhohen nga firmat e huaja.
“Ai nen vetëm jep një mundësi për t'u afruar me disa standarde të zhvillimit që përdoren në ndërtim dhe natyrisht, nuk do të lejohet asgjë jashtë rregulloreve ligjore që ekzistojnë në vendin tonë.”, tha Bytyqi.
Një nga nenet e projektligjit, që miratohet me procedurë të shkurtuar dhe i jep kontratën drejtpërdrejt kësaj kompanie pa një tender paraprak , thotë se punëtorët do të punojë edhe deri në 60 orë në javë.
ERSAN PAJAZITI
