Maqedoni
Dokumentet personale, ASH: S’ka formularë, prandaj nuk caktohen termine
07.07.2021 14:40
Golgota e qytetarëve për nxjere të dokumenteve personale po vazhdon, thonë nga Alenaca për Shqiptarët...

Golgota e qytetarëve për nxjere të dokumenteve personale po vazhdon, thonë nga Alenaca për Shqiptarët. Sipas opozitës shqiptare, për shkak të mungesës së formularëve, Ministria e Brendshme ka dhënë urdhër deri tek adminitrata që të mos caktojë asnjë termin për letërnjoftim. Shtojnë se pos kësaj, problem ka edhe diaspora me pasaporta të skaduara e cila nuk po arrin të merr fletudhëtime nëpër ambasadat e shteteve ku jetojnë.
“Është dhënë urdhër nga MPB deri tek adminitrata që të mos jepet asnjë termin për letërnjoftim për shkak të mungesës së formlarëve si në gjuhën maqedonase ashtu edhe në atë shqipe. Problem tjetër është edhe mungesa e fletudhëtimeve nëpër përfaqësitë diplomatike të vendeve europiane. Nga kontaktet direkte me bashkëatdhetarët tanë problem paraqitet me qytetarët tanë që kanë dokumente të skadura dhe për pasojë nuk mund të vijnë në vendlindje.”, tha Shefik Duraku nga ASH.
MPB demanton: Dezinformata, ka edhe formularë edhe termine
Nga MPB, i mohuan këto akuza. Për TVM2 thanë se formularë ka mjaft dhe terminet po caktohen si zakonisht
“Këto janë gënjeshtra dhe dezinformata nga ana e njerëzve të papërgjegjshëm. Ka mjaft formularë për dokumente personale për të përmbushur nevojat e të gjithë qytetarëve dhe të gjithë ata që kanë nevojë për dokumente udhëtimi do të marrin shërbimin. Nga e hëna, kemi filluar lëshimin e dokumenteve të udhëtimit me emrin Republika e Maqedonisë së Veriut , si dhe në përputhje me Ligjin për Përdorimin e Gjuhëve. Apelojmë tek qytetarët që të mos bien pre e dezinformata të tilla.”, thonë nga MPB.
Edhe kamera jonë xhiroi qytetarë të cilët mbushnin formularët pa asnjë ankesë për mungesën e tyre. Kishte realisht probleme për disa ditë për shkak të përditësimit të sistemit, e ndërprerja e punës sigurisht që shkaktoi rrëmujë në ditët e para të kësaj jave kur u shtua numri I qytetarëve që prisnin për ndryshim të dokumenteve personale.
ZEKIRJA MEXHITI
