Futboll
Vendimi i Apelit të UEFA, FSHF: Beteja ligjore vazhdon në Arbitrazh
03.12.2014 11:13
FSHF do të vazhdojë ta kërkojë drejtësinë, pranë Gjykatës të Arbitrazhit Sportiv (KAS) në Lozanë...

Federata Shqiptare e Futbollit u shpreh e indinjuar dhe e ka konsideruar politik vendimin e Komisionit të Apelit në UEFA për ti dhënë fitoren 3-0 Serbisë në takimin e papërfunduar me Shqipërinë më 14 tetor në Beograd, në një ndeshje të vlefshme për eleminatoret e EURO '16 .
Në një deklaratë për mediat FSHF shprehet se vendimi nuk mbështetet në atë çfarë ndodhi realisht në Beograd.
FSHF është e indinjuar për mosmarrjen parasysh të fakteve të vërtetuara të dhunimit të lojtarëve shqiptarë, të pushtimit të fushës, nga tifozë dhe persona të inkriminuar, të thirrjeve raciste “vritini shqiptarët”, të hedhjes në fushë të sendeve të forta dhe fishekzjarreve dhe të shumë elementëve të pasigurisë" bëhet e ditur në deklaratë.
Sipas FSHF nga seanca e pyetjeve, kanë dalë shumë fakte të reja dhe deklarata kontradiktore, të zyrtarëve të ndeshjes, që deklaruan për këtë takim, të cilat akoma më shumë na bindin se në shkallët e mëtejshme, Shqipëria do të gjejë drejtësinë.
"Federata Shqiptare e Futbollit, e pakënaqur me këtë vendim njofton opinionin, dhe median, se do të vazhdojë ta kërkojë drejtësinë, pranë Gjykatës të Arbitrazhit Sportiv (KAS) në Lozanë, edhe më shumë e binduar se i takojnë tre pikët e fitores, së kësaj ndeshjeje. FSHF do të vazhdojë betejën e saj ligjore, e qartë në qëndrimin e saj, se vetëm kështu do të fitojë vetëm futbolli. Një lojë e pastër, pa dhunë dhe pa racizëm" përfundon deklarata e FSHF.
