Maqedoni
Shqiptarët përkujtojnë sot 24 vjetorin e ngjarjeve të përgjakshme të Gostivarit
09.07.2021 10:30
24 vite më parë, më 9 korrik 1997, qytetarët shqiptarë të Gostivarit u mblodhën përpara kuvendit komunal....

24 vite më parë, më 9 korrik 1997, qytetarët shqiptarë të Gostivarit u mblodhën përpara kuvendit komunal, për të protestuar në mënyrë paqësore kundër heqjes së flamurit shqiptar. Protesta e tyre u ndal me dhunë të shfrenuar policore e ushtarake.
Në zgjedhjet lokale të vitit 1996, dolën përfaqësuesit politikë të zgjedhur në mënyrë demokratike, që si synim parësor kishin barazinë ndëretnike në shtetin e ri. Në mbledhjen e parë punuese të Këshillit Pluralist Komunal, më 27 Janar të vitit 1997, u vendos të ngihet edhe flamuri kombëtar shqiptar, para godinës së komunës së Gostivarit. Por, ky vendim, shkaktoi reagimin e menjëhershëm të Qeverisë dhe më 21 maj 1997, Gjykata Kushtetuese u deklarua se me këtë akt “kërcënohej sovraniteti i shtetit”. Kushteuesja kërkoi heqjen e flamurit kombëtar shqiptar. Më 8 korrik 1997, Kuvendi miratoi ligjin, përmes të cilit zyrtarisht u lejua përdorimi i kufizuar i flamujve të nacionaliteteve, por vetëm për përdorim në dimensionin privat dhe kulturor. Menjëherë pas këtij vendimi, në orën 1 e 30 të mëngjesit të 9 korrikut, flamuri kombëtar shqiptar u hoq nga godina nga forcat speciale. Aksion të ngjashëm pati edhe në Tetovë.
Gjatë protestave u vranë tre shqiptarë, dr.Shpend Iseini nga Forina, Milaim Dauti nga Dobërdolli dhe Nazmi Saliu nga Turçani i Vogël.
U plagosën me qindra të tjerë dhe po aq u keqtrajtuan. Nga rrahja dhe keqtrajtimet ç’njerëzore të policisë, brenda kësaj kohe, ndërruan jetë edhe disa qytetarë të tjerë.
Dy orë pas heqjes së flamurit, u arrestuan rreth 30 veprimtarë politikë shqiptarë, përfshi këtu edhe kryetarin e atëhershëm të Komunës së Gostivarit, Rufi Osmani, kryesuesin e atëhershëm të Këshillit Komunal Refik Dauti, Nevzat Bejta, Xhevat Bejta, si dhe shumë personalitete të tjera. Ndëshkime pati edhe për kryetarin e atëhershëm të Tetovës, Alajdin Demiri si dhe kryesuesin e këshillit komunal, Vebi Bexheti.
Për të përligjur gjihë ngjarjen, u zhvillua edhe një proces gjyqësor, I cili përfundoi më 16 shtator 1997. Gjykata Themelore e Gostivarit shpalli fajtor kryetarin e komunës, Rufi Osmanin, të cilin e dënoi me 14 vite burg, që u ulën në 7 vite në instancën e dytë. Pas miratimit të Ligjit për amnisti në vitin 1999, pra pas 2 vitesh nga dënimi, Osmani lirohet nga burgu.
