Mbillen fidanë në shkollat e Çairit

03.12.2014 15:17

“Ditës së drurit” iu bashkëngjitën edhe nxënësit e shkollave dhe kopshteve të Çairit. Ata, së bashku me arsimtarët, mbollën fidanë në oborret e shkollave të tyre.......

“Nxënësit janë të ndarë në dy grupe, njëri grup është jashtë, ku bëhet mbjellja e fidanëve të cilët janë të furnizuar nga ana e komunës, kurse pjesa tjetër e nxënësve është brenda në shkollë, ku bëhet pastrimi i klasave aty ku zhvillohet mësimi”- deklaroi drejtoresha e Shkollës Fillore “Hasan Prishtina”, Luljeta Qerimi.

“Kjo ditë është shumë e rëndësishme në aspekt të shëndetit të estetikës dhe është e rëndësishme pasi vetë nxënësit në këtë ditë e dinë se sa duhet përkushtuar në mbjelljen e fidanëve, por edhe mirëmbajtjen e fidanëve”- tha drejtoresha e Shkollës Fillore “Imri Elezi”, Merita Koxhaxhiku.

“Jemi duke i mbjellë fidanët për “Ditën e drurit” bashkë me nxënësit dhe kolektivin e shkollës dhe kjo është në dobi të të gjithë shoqërisë, sepse po bëhet mbjellja e fidanëve, kështu që në të ardhmen besoj se do të kemi edhe më shumë”- tha arsimtari i Shkollës Fillore “Hasan Prishtina”, Ferdi Baftija.

Në kuadër të aksionit “Dita e drurit-mbille ardhmërinë tënde”, në Shkollën Fillore “Hasan Prishtina” sot nxënësit dhe arsimtarët mbollën 20 fidanë, ndërsa 26 fidanë janë mbjellë në shkollën fillore “Imri Elezi”. (Gyltene Sinani, TVM2)