Osmani -Dendias: Zbatimi i Marrëveshjes së Prespës, mundësi për avancimin e bashkëpunimit

10.07.2021 14:28

Ministri i Punëve të Jashtme Bujar Osmani....

Ministri i Punëve të Jashtme Bujar Osmani, në margjinat e Forumit të Dubrovnikut realizoi takim me ministrin e Punëve të Jashtme të Greqisë, Nikos Dendias.

Dy homologët, siç thuhet në kumtesën e MPJ-së, u shprehën të kënaqur nga dialogu politik intensiv dhe dinamika pozitive në marrëdhëniet dypalëshe.

“Kemi Marrëveshje për partneritet strategjik të cilën duhet ta implementojmë në frymë pozitive dhe me vullnet të mirë, me qëllim që të sigurojmë bazë të pastër për komunikim të papenguar të qytetarëve dhe të biznesit. Nuk kemi dilemë se me vazhdimin e dialogut dhe përkushtimin e përbashkët në përmbushjen e detyrimeve të ndërmarra me Marrëveshjen e Prespës si dhe me Planin aksionar për implementimin e saj, hapen mundësi shtesë të rëndësishme për avancimin e bashkëpunimit, që në vazhdimësi po e rrit besimin ndërmjet dy fqinjëve dhe paraqet shembull për marrëdhëniet e mira fqinjësorë, miqësinë dhe partneritetin”, deklaroi në takim ministri Osmani.

Bashkëbiseduesit përshëndetën nënshkrimin e Marrëveshjes për ndërtimin e përbashkët të Interkonektorit me Greqinë, të cilën, ministrat e resorëve përkatës e nënshkruan më 9 korrik në Athinë, projekt kyme rëndësi , jo vetëm për të dy vendet,  por edhe për të gjithë rajonin.