Indeksi për korrupsionin, Maqedonia më e mira në rajon
Organizata Ndërkombëtare “Transparency Internacional” ka publikuar “Indexin e perceptimit të korrupsionit” për vitin 2014, ku janë përfshirë 175 vende të botës.....

Në këtë radhitje, Maqedonia mban pozicionin më të mirë në raport me vendet e rajonit, ndërsa nga viti i kaluar ka shënuar një përmirësim të lehtë dhe tani ndodhet në vendin e 64.
Pas saj, radhiten Mali i Zi në vendin e 76-të, Serbia në vendin e 78-të dhe Bosnja në vendin e 80-të. Megjithatë, nga “Transparency Internacional” thonë se treguesi për korrupsionin për të gjitha vendet e përfshira në hulumtim akoma mbetet shqetësues dhe ata duhet që më shumë të bëjnë për ta përmirësuar gjendjen e tyre.
“2/3 e shteteve, të cilat janë ranguar në këtë index, ndodhen më poshtë se pozicioni i 50-të. Republika e Maqedonisë shënon një përparim të lehtë për sa i përket pozicionimit në listë, që do të thotë se në vitin 2012 ishim në vendin e 69-të, në vitin 2013 në vendin e 67-të, ndërsa këtë vit në vendin e 64-të”- deklaroi Sllagjana Taseva nga “Transparency Internacional”.
Nga vendet e rajonit, Kosova dhe Shqipëria radhiten në “zonën e kuqe” të korrupsionit në të njëjtin grup me Ekuadorin, Etiopinë dhe Malavinë.
Në raportin, ku janë të përfshirë 175 vende, Shqipëria për këtë vit është vlerësuar me 33 pikë, duke arritur të fitojë 6 pozicione dhe duke u renditur tashmë në vendin e 110 nga vendi i 116 që mbante vitin e kaluar.
Në po të njëjtën kuotë pikësh është vlerësuar edhe Kosova, duke u renditur gjithashtu po me 110 pikë dhe duke arritur të ngjitet vetëm me një pozicion krahasuar me vitin 2013. Në indeksin e këtij viti, Danimarka ka dalë e para me 92 pikë, ndërsa Koreja e Veriut dhe Somalia ndajnë vendin e fundit, me nga tetë pikë. (Naim Ramadani, TVM2)
