14 të infektuar të rinj, asnjë viktimë, vaksinimi nga e hëna pa termin të caktuar

11.07.2021 14:41

14 raste të reja të Covid-19....

14 raste të reja të Covid-19 nga 2876 teste u regjistruan në vend në 24 orët e fundit.

8 nga rastet e reja janë regjistruar në  Tetove, 3 në Gostivar,  2 në Shkup dhe një në Strugë.  Janë regjistruar edhe 2 pacientë të shëruar , që të dy nga Shkupi. 

Për fat të mirë as këtë 24 orësh nuk ka asnjë viktimë Covid.

Nga e hëna procesi i vaksinimit masiv të popullatës, në mbarë vendin do të mund të kryhet pa termin të caktuar paraprakisht madje edhe për fëmijët nga 12 deri 16 vjeç.

Vaksinimi në terren është organizuar në bashkëpunim me komunat, bashkësitë lokale dhe mediat.

“Shtëpitë e shëndetit nga çdo qytet, në bashkëpunim me vetëqeverisjen lokale, bashkësitë lokale me ndihmën e mediave lokale, pllakateve, i informon qytetarët për ditën dhe orën, në cilin fshat, lagje, vendbanimi rural do të kryhet vaksinimi. Çdo qytetar që dëshiron të vaksinohet, me vete duhet të ketë dokument të vlefshëm për identifikim. Ministria e Shëndetësisë i fton qytetarët që të vaksinohen, të gjitha vaksinat të cilat i kemi te ne janë të sigurta dhe efikase. Të gjitha vaksinat parandalojnë simptoma të vështira apo vdekje nga virusi korona”, thanë nga MSh.

Deri tani në vend janë aplikuar 662.372 vaksina, prej tyre,  245.231 qytetarë janë rivaksinuar.