Gjenocidi në Srebrenicë, në 26-vjetorin e masakrës varrosen edhe 19 viktima
Mijëra njerëz u mblodhën në Bosnjë...

Mijëra njerëz u mblodhën në Bosnjë për të përkujtuar masakrën e Srebrenicës, gjenocidin e vetëm të njohur ndërkombëtarisht në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore dhe për të varrosur 19 viktimat e sapo identifikuara përmes analizave të ADN-së.
Ata do të prehen në një varrezë përkujtimore në hyrje të qytetit lindor, duke u bashkuar me mbi 6 mijë e 600 të tjerë tashmë të rivarrosur atje.
"Qendra Memoriale në Potoçari është institucioni thelbësor kur bëhet fjalë për kulturën e kujtesës dhe përkujtimit. Para së gjithash, krimi i gjakderdhjes filloi në këtë vend në korrik 1995, kjo është varrezat e viktimave të gjenocidit dhe sepse ky është një institucion i shtetit të Bosnjës dhe Hercegovinë" – tha Shefik Xhaferoviç, anëtar i presidencës së Bosnje e Hercegovinës.
8 mijë burra dhe djem myslimanë boshnjakë, u ekzekutuan në korrik të vitit 1995. Shumica e viktimave të masakrës u ndoqën dhe u ekzekutuan ndërsa po përpiqeshin të iknin në një pyll aty pranë, pasi Srebrenica u pushtua nga forcat serbe të Bosnjës në 11 korrik 1995, në ditët e fundit të luftës së viteve 1992 – 1995 në Bosnje.
Trupat e tyre u hodhën në varre masive të hapura me nxitim dhe më pas u gërmuan me buldozerë dhe u shpërndanë në vende të tjera për të fshehur provat e krimit.Më shumë se 100,000 njerëz u vranë përpara se një marrëveshje paqeje të ndërmjetësohej në vjeshtën e vitit 1995.
Qyteti i Srebrenicës që ishte shpallur “zonë e mbrojtur” nga Kombet e Bashkuara, ruhej nga paqeruajtësit holandezë.
Shefi i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, dhe komisionari për zgjerim i BE-së, Oliver Varhelyi, në një deklaratë të përbashkët thanë se “Në Evropë nuk ka vend për të mohuar gjenocidin, për revizionizmin dhe për të madhëruar kriminelët e luftës. Këto janë në kundërshtim me vlerat më themelore evropiane. Përpjekjet për të rishkruar historinë janë të papranueshme. Nuk mund të ketë pandëshkueshmëri – gjenocidi është gjenocid, qoftë i kryer në Srebrenicë apo gjetiu”, thuhet në deklaratën e përbashkët të zyrtarëve evropianë, në të cilën nënvizohet se “Evropa nuk e ka harruar përgjegjësinë e saj për dështimin në parandalimin e gjenocidit në Srebrenicë”. Gjenocidin në Srebrenicë e kanë dënuar edhe drejtuesit më të lartë të Maqedonisë së Veriut, Shqipërisë e Kosovës.
