Invalidët i njohin shumë pak të drejtat që ua garanton ligji

03.12.2014 17:03

Në “Ditën ndërkombëtare të personave me invaliditet” edhe autoritetet premtuan se do të bëjnë gjithçka që kanë në dorë për të integruar në shoqëri, por edhe në tregun e punës këtë kategori qytetarësh....

Një numri të madh të këtyre njerëzve, shëndeti dhe shkalla e invaliditetit ua lejojnë të punojnë, por ata shumë rëndë mund ta realizojnë këtë të drejtë.

Ministri i Punës dhe Politikës Sociale, Dime Spasov, thotë se janë realizuar shumë projekte për përkrahjen e tyre, por edhe më tej do të punohet për të drejta më të avancuara.

“Parashihet që në korrik të vitit 2015 të zbatohet një shtesë e veçantë për fëmijët me sindromin “Down”, si dhe rritja e asistencës sociale që u jepet prindërve që kujdesen për këtë kategori të fëmijëve për 25 %, po ashtu edhe refundim të mjeteve për 80 %, në  dogana për personat me invaliditet  trupor dhe të verbërve për sigurim të veturave speciale. Për momentin punojnë në ndryshimin e ligjit dhe presim të  fillojë realizimi i këtyre projekte”- deklaroi ministri i Punës dhe Politikës Sociale, Dime Spasov.

Por, qytetarët pak i njohin ndryshimet ligjore, e kur bëhet fjalë për qytetarët shqiptarë të kësaj kategorie, ata shumë pak janë të informuar për beneficionet që u takojnë.

“Fatkeqësisht edhe më tutje këta persona me invaliditet pak i njohin ligjet, po flas sidomos për pjesën shqiptare, shumë pak, duke mos i shfrytëzuar të drejtat e tyre pikërisht për shkak të mosinformimit të këtyre personave dhe familjeve”- tha defektologu, Benjamin Istrefi.

Organizatat e invalidëve kërkojnë që të respektohet Ligji i Marrëdhënieve të Punës, ku firmat të cilat kanë mbi 35 të punësuar, të punësojnë edhe persona me nevoja të veçanta, por me këtë rast të përfshihen të gjitha kategoritë e këtyre personave, pa marrë parasysh shkallën e invaliditetit.

“Nene të caktuara në kuadër të këtij ligji duhet të përmirësohen, të theksohet se punësimi duhet t’i përfshijë të gjitha kategoritë e personave me invaliditet dhe që nënkupton personat që kanë lëndime trupore, verbëri, shurdhmemecë, por edhe pengesa në zhvillimin intelektual”- u shpreh kryetari i Këshillit Nacional të Invalidëve, Branimir Jovanovski.

Në Maqedoni, 10 % e popullatës janë persona me invaliditet. Edhe pse atyre u takojnë të gjitha të drejtat e garantuara me dokumentet universale të KB-ve, ata edhe më tej hasin në paragjykime, diskriminim dhe margjinalizim në shoqërinë tonë. (Flutura Latifi, TVM2)