Botë

Garë e ngushtë midis dy partive rivale në Bullgari

12.07.2021 10:20

Rezultatet preliminare të zgjedheve parlamentare në Bullgari tregojnë një garë...

Rezultatet preliminare të zgjedheve parlamentare në Bullgari tregojnë një garë të ngushtë midis koalicionit GERB, të udhëhequr nga ish-kryeministri Boyko Borisov, dhe partisë “Ka një popull të tillë”. Me gati 90 për qind të votave të numëruara nga zgjedhjet e së dielës, grupi GERB ka 24.01 për qind të tyre. Partia “Ka një popull të tillë”, me në krye prezantuesin televiziv, Slavi Trifonov, ka 23.48 për qind. Shumë agjenci të sondazheve parashikojnë se partia “Ka një popull të tillë” mund të dalë në epërsi ndaj GERB-it.
 
 
Disa akuza të reja për keqpërdorim të fondeve qeveritare nga administratat e udhëhequra nga GERB, e kanë ulur mbështetjen për këtë parti në prag të zgjedhjeve. Rreth 6.7 milionë qytetarë të Bullgarisë kanë pasur të drejtë vote për anëtarët e Parlamentit me 240 vende. Zgjedhje parlamentare në Bullgari janë mbajtur edhe në muajin prill, por pa prodhuar rezultat përfundimtar.Bullgaria është vendi më i varfër i Bashkimit Evropian dhe perceptohet si një nga më të korruptuarit.