Shkupi miraton buxhetin, opozita e quan buxhet luksi

03.12.2014 17:27

Qyteti i Shkupit miratoi buxhetin për vitin 2015.......

Sipas kreut të Qytetit të Shkupit, Koce Trajanovskit, projektet e parapara në këtë buxhet kanë për qëllim mirëqenien socio-ekonomike të qytetarëve dhe zhvillimin e kryeqendrës. Por, LSDM-ja opozitare kundërshtoi buxhetin, duke e quajtur si buxhet “luksi”, që nuk i zgjidh problemet reale të shkupjanëve.

LSDM-ja, akuzon këshilltarët shumicë në Qytetin e Shkupit se aspak nuk e kanë marrë parasysh shumicën e 64 amendamenteve të dorëzuara nga opozita. Nuk janë pranuar as 27 amendamentet e opozitës shqiptare.

“Ne kërkuam, në krahasim prej tyre, gjërat elementare edhe pse ky buxhet është buxhet luksi, ku më tepër parashihen fasada, parashihen përmendore, fontana e kështu me radhë, kurse shqiptarët ku jetojnë kanë probleme me ujësjellësin, me ujin e pijshëm, me kanalizime, me asfaltime e kështu me radhë”- deklaroi këshilltari i PDSH-së në Qytetin e Shkupit, Idriz Orana.

“Shumica qeveritare sot votoi buxhet për përmendore, në vend të rrugëve nëntokësore, votoi për fontana e jo për shkollë të mesme në “Aerodrom”, votoi për sheshe e jo për uljen e nivelit të ndotjes. Votuan edhe për fasada të shumta në stilin barok, por  jo edhe për projekte për efikasitet energjetik”- tha kryetari i Grupit të Këshilltarëve të LSDM-së në Shkup, Damjan Mançevski.

Por, kreu i Shkupit, Trajanovski, nuk shqetësohet për akuzat e opozitës. Sipas tij, nuk mund të miratohet buxhet për të kënaqur LSDM-në, pasi buxheti është për qytetarët e Shkupit.

“Nëse këto  projekte të miratuara nuk i quajnë projekte por “luks”, nuk di çfarë të them. E pranoj se asnjëherë nuk mjafton, duhet shumë më tepër investime, pasi në Shkup me dekada nuk është punuar. Jam dakord që nuk ka buxhet ideal, pasi secili mendon se projektet e tij janë prioritet”- u shpreh kryetari i Qytetit të Shkupit, Koce Trajanovski.

Dje, këshilltari nga radhët e BDI-së, Qemal Musliu, tha për TVM2 se buxheti është ndarë në mënyrë proporcionale dhe se përfshin shumë projekte infrastrukturore në zonat e banuara me shqiptarë. Gjithashtu, ka ndarje të drejtë të buxhetit edhe për projekte në kulturë, sport,  shëndetësi etj, projekte këto që, sipas Mulsiut,  janë me rëndësi jetike për zhvillimin e vendbanimeve, ku një numër i konsiderueshëm i banorëve janë shqiptarë. (Mefail Ismaili, TVM2)