Ajten Rustemi, ”heroina “mbi dy rrota

03.12.2014 18:12

Ajten Rustemi është 23 vjeçe, ajo është studente në Fakultetin Ekonomik pranë USHT-së këtu në Shkup.....

Që nga lindja, ajo vuan nga paraliza cerebrale dhe gjithë jetën  përballet me pengesa nga më të ndryshmet. Ajo nuk e jeton përditshmërinë si gjithë të tjerët dhe problemet fillojnë sapo kalon pragun e shtëpisë. Që aty asaj i duhet ndihma e të afërmve, pasi vetë nuk ia del dot. 

“U ndalova këtu për të blerë disa gjëra që më nevojiten, gjërat personale të themi, mirëpo nuk mund të hyj, sepse nuk kam mundësi. Unë jam në universit dhe kur shkoj për në universitet kam shumë vështirësi. Ndonjëherë nuk kam mundësi për transport, shpeshherë duhet të shkoj me autobus ose me taksi. Nuk kam mundësi të eci nëpër shkallë, patjetër duhet të kem një person që do të më ndihmojë, mirëpo ndonjëherë kam nevojë të dal edhe vetë”- deklaroi Ajten Rustemi. 

Por, të dalësh vetë në Shkup është shumë e vështirë. Rrugët kanë shumë pak kalime lehtësisht të kapërcyeshme për invalidët mbi karroca. Shumë institucione mendojnë se e kanë përmbushur obligimin ligjor vetëm sepse kanë vënë një kalim të pjerrët para shkallëve, por harrojnë se njerëzit mbi karroca duhet të ngjiten për kate të tëra në shkollat ku mësojnë, e aty nuk kanë se si.

“Duhet të ndryshohet, pik së pari në fakultete duhet të ketë ashensorë, pasi që unë kam vështirësi, se çdo herë dhimbja e zemrës nuk mund të thuhet me fjalë, e kështu që kush ka mundësi të paktën një ashensor ta bëjë tek fakulteti. Të jem unë ai personi për të cilin do të bëhet ashensori, ku më pas edhe të tjerët do ta shfrytëzojnë atë ashensor”- tha Rustemi.

Nuk janë vetëm institucionet që nuk përshtaten me këtë kategori qytetarësh. As ndërtesat nuk janë të përshtatshme për banorët të cilët janë mbi dy rrotat e karrocës së invalidit.

Shumë pallate të vjetra, por edhe të reja, në vend kanë mungesë të rrugicave  ose vendeve të posaçme për t’u ngjitur në shtëpi. Personat me aftësi të kufizuara, pavarësisht moshës, në të shumtën e rasteve ndodh të ngjiten në banesat e tyre duke i marrë në krahë familjarët.

Personat me invaliditet, janë pjesë e rëndësishme e shoqërisë sonë. Ata ekzistojnë dhe si të tillë duhet të përfitojnë nga ligjet e një shteti, që, sipas kushtetutës, është i barabartë për të gjithë qytetarët e tij. (Rexhep  Qamili, TVM2)